Serbia nuk do ta lëshojë kurrë veriun e Kosovës, ka thënë të premten kryeministri serb, Ivica Daçiç, gjatë një vizite në veri të Mitrovicës. Këto mesazhe, ai i ka drejtuar në një tubim zgjedhor të Iniciativës Lista Qytetare Serbe.

Bashkë me kryeministrin Daçiç në këtë tubim kanë marrë pjesë edhe ministrat Aleksandar Vulin dhe Zorana Mihajloviç, si dhe përfaqësues të “listës serbe”.

Sipas raportimeve të “REL”, pjesëmarrja e delegacionit të nivelit të lartë qeveritar serb në këtë miting ishte shprehje e mbështetjes që Beogradi i jep “listës serbe” në zgjedhjet lokale në Kosovë, në komunat ku komuniteti serb përbën shumicën.

Daçiç ka ftuar komunitetin serb që të dalë në votimet e së dielës dhe të mos lejojë, siç ka thënë ai, që në krye të Mitrovicës veriore të vijë një shqiptar.

“Serbia nuk do ta braktisë kurrë dhe nuk do t’i harrojë kurrë serbët e veriut të Kosovës. Po të mos ishte Serbia, nuk do të ishte edhe ky territor ku sot kemi katër komuna të mëdha e të rëndësishme serbe”, ka thënë Daçiç.

Ai ka theksuar se, Serbia nuk është larguar nga Kosova, por përkundrazi është duke ngritur institucionet e saj nëpër komunat ku jeton ky komunitet.

Më pas ai ka porositur serbët se duhet ta dëgjojnë shtetin serb, në mënyrë që Beogradi të mund të vazhdojë me praninë e tij në veri.

Top Channel