“CNN”: SHBA-Iran pranë një marrëveshje

15/11/2013 19:40

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gjithmonë e më pranë gjetjes së një marrëveshje të njëanshme me Iranin mbi programin e debatueshëm bërthamor të Teheranit, informoi të premten “CNN”.

Një zyrtar i lartë pranë Shtëpisë së Bardhë informoi se me këtë marrëveshje, Uashingtoni synon të pengojë mundësinë e përparimit të programit iranian, pas tërheqjes nga bisedimet e përbashkëta të Iranit me grupin e gjashtë superfuqive më parë gjatë javës.

Një marrëveshje e tillë do të ngrinte programin bërthamor, duke i dhënë më shumë kohë palëve në gjetjen e një marrëveshje.

Lajmi vjen vetëm një ditë pasi presidenti Barack Obama tha se shtimi i sanksioneve ndërkombëtare mbi Iranin mund të minojë progresin ndërkombëtar.

Irani, ekonomia e të cilit është dëmtuar ndjeshëm nga sanksionet e vendosura prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pretendon se zhvillimi i energjisë bërthamore në vend realizohet vetëm për përdorim civil.

Pavarësisht këtij pretendimi, superfuqitë botërore nuk besojnë në garancitë e paraqitura nga Teherani dhe dyshojnë se vendi po synon të ndërtojë një armë bërthamore.

Top Channel