Policia e Eulex-it zhvilloi një operacion kontrolli në ambientet e punës dhe shtëpisë së gazetarit Milaim Zeka, nën dyshimin për veprën penale të frikësimit dhe pengimit të procedurës penale.

Bëhet fjalë për intervistat me dëshmitarë të mbrojtur në rastin e grupit “Drenica”, që Zeka ka realizuar së fundmi. Pas disa orë kontrolli, Eulex-i mori me vete kompjuterë dhe dokumente personale, por jo dhe materialin e plotë të intervistave.

Zeka hodhi poshtë pretendimet e Eulex-it dhe e quajti “shoë” mediatik aksionin. Ai tha se është kontaktuar vetë nga dëshmitarët dhe se nuk e ka ditur, që kishte të bënte me dëshmitarë të mbrojtur.

Beson se, me punën e tij, ka dëshmuar se Eulex-i shkeli të drejtat e dëshmitarëve, në rastin e intervistimit të dëshmitarëve për rastin “Drenica”. Milaim Zeka shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me Eulex-in, por jo të dorëzojë materialin e plotë të intervistave, të cilin e ka çuar në Suedi.

“Nëse Salustro nuk do më tregonte se këto dëshmitarë janë të mbrojtur, atëherë si mund ta dija unë që ata ishin të mbrojtur? Nëse mua më kanë kontaktuar vet dëshmitarët, për të dhënë me dëshirë intervistë, atëherë unë nuk kam bërë ndonjë shkelje ligjore. Jam shumë i lumtur që, me argumente kam dëshmuar se marrja në pyetje e dëshmitarëve për rastin ‘Drenica’ është bërë në kundërshtim me të gjitha rregullat juridike, për arsye se i kanë joshur dëshmitarët me parà, apo me premtime për t’i dërguar jashtë Kosovës”, tha Milaim Zeka, gazetar.

Zeka tha se ka intervistuar pesë dëshmitarë. Në njërën nga intervistat, dëshmitari i mbrojtur mohon deklaratat e dhëna më herët për prokurorin e çështjes, Maurisio Salustro, kur bëhet fjalë për akuzat kundër ish-ushtarëve të UÇK-së. Zeka thotë se dëshmitarët janë manipuluar deri në atë pikë, sa në këto akuza përfshihet edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Është fjala për një femër, që thotë se kur e kanë arrestuar dhe dërguar në Likovc, Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dhe këtë po e them publikisht për herë të parë, ka marrë gërshërët e i ka prerë flokët, por i ka prerë edhe buzën me to. Atëherë lind pyetja: Pse Jakup Krasniqi nuk është i arrestuar? Domethënë e shikoni se çfarë historish janë prodhuar nga dëshmitarë të ndryshëm”, shtoi Milaim Zeka.

Zeka kritikon RTK-në, pasi sipas tij nuk e kanë përkrahur pas marrjes në pyetje, për shkak të detyrës. Operacioni kundër Zekës është autorizuar nga një gjyqtar ndërkombëtar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Është hera e parë, që Euleks përfshihet në një operacion të tillë, ndaj një gazetari në Kosovë. Ky aksion vjen pas transmetimit të një interviste, ku Ferat Dibrani thotë se deklaratat ‘se gjoja ish-luftëtarët Sami Lushtaku, Sylejman Selimi e të tjerë kanë kryer krime lufte në fshatin e Likovcit’ i janë faturuar atij nga prokurori i rastit, Mauricio Salustro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA