Ministria e Energjitikës harton një rregullore të re që synon të luftojë rastet e abuzimit të konçensionarëve në fushën e hidrokarbureve. Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri thotë se kjo rregullore do të forcojë monitorimin e shtetit në këtë sektor.

“Këto marrëveshje në të shkuarën janë shoqëruar me praktika korruptive. Të dhënat nuk janë respektuar. Diskutojmë këtë projekt-rregullore që vendos shtratin ligjor, që bën të mundur një mbikëqyrje më të mirë nga ana e shtetit, që forcon kapacitetet teknike dhe shkencore, bën normimin e shpenzimeve financiare për t’i dhënë fund abuzimeve me rritje të shpenzimeve të pajustifikuara që i kanë bërë këto marrëveshje pa fitim”, deklaroi Gjiknuri.

Rregullorja e diskutuar në takimin me përfaqësues të kompanive që operojnë në fushën e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve zgjeron hapësirën e monitorimit duke shtuar aktorët në proces, përfshirë Ministrinë e Energjitikës dhe Financave.

Krahas rritjes së sigurisë dhe parandalimit të ngjarjeve të pakontrolluara, rregullorja detyron organet shtetërore në sektorin fiskal të garantojnë interesat e shtetit gjatë këtij aktiviteti.

Top Channel