Telashe ligjore për “PriFest”

14/11/2013 00:00

Festivali i filmit “PriFest” mund të futet në telashe ligjore. Kjo pas një mosmarrëveshjeje mes organizatorëve të festivalit dhe skulptorit Luan Mulliqi. Kështu thuhet ne portalin “Indeksonline”.

Luan Mulliqi është autor i “Hyjnesha e Artë” e dizajnuar si modifikim i simbolit të Prishtinës “Hyjnesha në Fron” për trofe të festivalit. Me pajtimin e të dy palëve, “Hyjnesha e Artë” për 4 vite u prodhua në Turqi nga Luan Mulliqi, me shpenzime të mbuluara nga festivali. Ndërsa në vitin e pestë Mulliqi ka vendosur të padisë organizatorët e “PriFest” pasi sipas tij ata vendosën që Hyjneshën ta prodhonin në Kosovë, pa lejen e tij.

Në anën tjetër, drejtoresha e festivalit, Vjosa Berisha, tha për “Indeksonline”:  “Hyjnesha e Artë” ka autorin e vet dhe këtë nuk e mohon askush, por destinacioni për çfarë është bërë kërkon prodhim të përvitshëm e kjo bëhet nga festivali dhe vendimi se ku bëhet merret nga ne varësisht nga situata financiare e festivalit.”

Luan Mulliqi ka vendosur tanimë për padinë: “Padia është shkruar dhe do të dorëzohet në gjyq. Nuk kam arsye të mos e bëj këtë. Do t’i padis.”

Top Channel