Rritje e lehtë ekonomike në Eurozonë

14/11/2013 15:20

Ekonomia e Eurozonës njohu një rritje prej vetëm 0,1% në periudhën korrik-shtator të 2013-s, një reduktim nga 0,3% i tremujorit të mëparshëm.

Pavarësisht rritjes minimale, ekspertët i konsideruan gjithsesi të dhënat si inkurajuese, pasi ky është tremujori i dytë pozitiv, pas 18 muajsh recesioni, çka ishte edhe periudha më e keqe ekonomike për vendet e BE-së që prej përshtatjes së monedhës së përbashkët euro.

Një javë më parë, Banka Qëndrore Europiane reduktoi normën bazë të interesit në 0,25%, për të stimuluar kreditimin dhe më shumë likuiditet në treg.

Në vitin e ardhshëm, rritja pritet të përshpejtohet në 1,1% për vendet që përdorin monedhën euro, ndërsa në 2015-n parashikohet të shkojë në 1,7%.

Ndonëse niveli i borxhit në BE është i ngjashëm me atë të dy prej ekonimeve të tjera më të mëdha botërore, si SHBA dhe Japonia, mungesa e rritjes ka imponuar shkurtime dhe e ka shndërruar çështjen e borxhit në politike.

SHBA, ekonomia më e madhe në botë, pavarësisht borxhit të lartë kombëtar, për momentin gëzon një shëndet më të mirë ekonomik, ndërsa rritja për vitin 2013 pritet të jetë prej 2,8%.

Top Channel