“Receta për njerëzit që dua”, libri i Arbana Osmanit, duket se ka pushtuar panairin e librit, të hapur në Pallatin e Kongreseve.
Në stendën e shtëpisë botuese “Dudaj”, gra e vajza, por pse jo dhe burra, mbajnë radhë të gjata për të blerë librin me recetat e Arbanës dhe për të marrë autografin e saj, madje duke përfituar për të bërë dhe foto me të.
Autografe pa fund dhe shumë buzëqeshje nuk ka kursyer aspak Arbana Osmani, për të gjithë ata që kanë blerë librin me recetat e saj të shumëllojshme të mishit dhe të peshkut.
“Sigurisht që janë recetat e mia, të trashëguara nga familja ime. Janë receta të eksperimentuara nga unë, nga miqtë e mi, por që të gjitha kanë diçka personale timen. Është një emocion shumë i madh të kesh kontakt kaq të afërt me këta njerëz, që të kanë parë e ndjekur prej vitesh. Thellë-thellë, ti gjithmonë e di që kanë qenë aty, por vetëm se nuk i ke pasur kaq pranë. Është shumë bukur”, tha Arbana Osmani.
Ndonëse është vetëm dita e parë e çeljes së panairit, botuesja Arlinda Dudaj thotë se janë shitur 1000 kopje, kur fundjava pritet të sjellë një fluks edhe më të madh.
“Librat po shiten me shpejtësi, ka shumë njerëz në radhë, kryesisht vajza dhe gra, që presin për të marrë autografin. Kanë mbaruar deri tani 1000 kopjet e para të librit, ndaj duhet të nxjerrim të tjerat. Mbase është një libër që ka brenda shumë gjëra, e para sepse është një libër që mund të blihet nga të gjithë, për shkak të çmimit relativisht të ulët. Së dyti, sepse është libri i një personazhi shumë të dashur të ekranit dhe shumë i njohur. Ndoshta, edhe sepse recetat janë shumë të lehta për t’u gatuar, secila grua mund t’i bëjë në shtëpinë e vet, pa shumë shpenzime”, tha Arlinda Dudaj, botuese e shtëpisë botuese “Dudaj”.
Të ardhurat nga shitja e librit do të shkojnë për fëmijët e ngujuar në veri të vendit.
Top Channel