
Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland ka deklaruar se SHBA është e inkurajuar me dialogun e Beogradit dhe Prishtinës dhe me përparimin e arritur.
”Amerika përkrah këtë proces dhe në të edhe më tej është e nevojshme përkrahja jonë e përhershme, në mënyrë që të dy vendet të realizojnë qëllimin vet dhe të integrohen tërësisht në strukturat evropiane”, ka deklaruar Nuland.
Këtë deklaratë zyrtarja e Departamentit të Shtetit e ka bërë në tribunën e Këshillit Atlantik në Uashington, raportojnë mediat serbe në edicionet online.
Raundi i radhës i dialogut mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç është parashikuar të mbahet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në veri të Kosovës, si gjithmonë me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.
Mediat kosovare raportuan më herët gjatë muajit se diplomatët evropianë presin që pas përsëritjes së zgjedhjeve në vendvotimet e Mitrovicës së Veriut, cikli zgjedhor të përmbyllet krejtësisht më 1 dhjetor, kur do të mbahet gara e balotazhit.
Takimet i paralajmëroi edhe kryeministri Daçiç, i cili deklaroi për mediat serbe se më 5 dhe 13 dhjetor do të takohet me përfaqësuesen lartë të BE-së për Politikën e Kashtme, me të cilën do të bisedojë për Kosovën dhe për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.
Top Channel