Këngëtaret shqiptare që kanë “çmendur” publikun

14/11/2013 00:00

Ekstravagancat e para apo teprimi me perfomancat në skenën shqiptare lidhen me emrin e Adelina Ismailit. Teksa këndonte “Zemrën nuk ta fal”, Adelina ekspozoi trupin e saj në një mënyrë që s’ishte parë ndonjëherë në vendin tonë.

Duket se ky ishte vetëm fillimi për këngëtaren nga Kosova. Videoklipi i “Sajzeza” në bashkëpunim me grupin Elita 5 solli një tjetër Adelinë, por sërish të zheshur.

Zajmina Vasjari. Ajo është një ndër këngëtaret më provokuese të viteve të fundit. Nuk kanë munguar ata që e kanë kritikuar se ajo nuk di të këndojë, por duket se me perfomancat nëpër videoklipe ka bërë që të flitet më shumë për trupin e saj sesa për zërin.

Era Rusi duket se ndjen shumë në këngën “Feeling”. Këngëtarja me një zë potent duket se në këtë videoklip sjell edhe një pjesë të panjohur të saj. Në një këngë ku është shumë e pranishme ngjyra e kuqe, nuk mungojnë skenat e nxehta, jo të zakonshme për Erën.

Fjolla Morina
, mamaja e një vajze, arriti të tërheqë vëmendjen e të gjithë publikut me këngën e saj. Nuk dihet me saktësi çfarë ka ndodhur gjatë realizimit të videoklipit, por skenat provokuese me siguri kanë qenë motivi i dy millionë njerëzve që e kanë parë në YouTube.

Nëse mendoni se këngëtarët e muzikës popullore videoklipet i lidhin me traditën e vendit, gaboheni. Ose të paktën ky nuk është rasti i Ylli Bakës. Bashkëpunimi me Flori Mumajesin e ka sjellë në një version të pazakontë këngëtarin e muzikës labe. Jo ai personalisht, por vajzat në videoklipin e këngës duket se nuk gjejnë djem për të puthur dhe ngushëllohen me njëra-tjetrën.

Është kënga që ka ngjallur më shumë batuta dhe padiskutim ndër më të pëlqyerat. Bëhet fjalë për Feniksin e Tunës që në gjuhën popullore e ka bërë zog. Përtej videos ku nuk mungojnë skenat e nxehta, performancat e Tunës nëpër koncerte të ndryshme janë në një nivel “ma të naltë”.  

Kur muzika kalon masën

Miley Cyrus. Është në vëmendjen e të gjithëve këto ditë. Polemika dhe komente të ndryshme janë lëshuar në rrjete sociale, pasi vajza tashmë me sjellje të këqia në skenë, ka ekzagjeruar sërish.

Kësaj herë në eventin e MTV Music Award, zhvilluar në Amsterdam. Përveç teprimit me sjelljet e saj gjatë performancës në skenë, kur ajo u ringjit për të marrë një trofe, nuk hezitoi të nxjerrë e të ndezë përpara publikut një cigare të dyshimtë. Tashmë e etiketuar si vajza me sjellje të keqe, Miley nuk mundi të zhgënjejë as kësaj radhe në daljen e saj në publik, ku jo vetëm sjellja, por edhe veshja ishin përtej të zakonshmes.

Vajza e Hana Montanas, personazhit të adhuruar nga shumë vogëlushe në botën mbarë, duket se ka zgjedhur tashmë të shkelë mbi gjurmët e Paris Hilton. Hilton është një nga emrat më të përfolur të “shoëbiz”-it, me sjelljet dhe performancat e saj.

Dhe nuk është modeli i vetëm që na shërben bota e yjeve të muzikës. Jo pak herë Lady Gaga është vendosur në qendër të skandaleve mediatike, për sjelljet e saj tepër të ekzagjeruara në skenë, por edhe në jetën e saj private. Jo pak herë këngëtarja është parë të shëtisë rrugëve e veshur me intimo, apo veshje që kapin kulmin e ekzebicionizmit të saj jashtë skenik.

Ndërsa për videoklipet as që mund të flitet se janë të një standarti të zakonshëm. Ajo është akuzuar për blasfemi, erotizëm të tepruar dhe sjellje skenike që kanë shokuar publikun. Megjithatë, Lady Gaga është një yll që admirohet dhe pëlqehet nga mijëra fansa në të gjithë Botën.
 
E bukur, sensuale dhe një nga këngëtaret me zërin më potent. Gjithashtu, Rihana është një nga yjet e pop-it më të përfolura për shkak të ekzebicionizmave të saj, veshjeve, por edhe sjelljeve në jetën private, të cilat jo pak herë e kanë vendosur në qendër të skandaleve.

Përpos këtyre, edhe Katy Perry, përtej koracës së vajzës së mirë, nuk mungon të tërheqë vëmendjen e saj me sjellje jo shumë të hijshme.  

Të tepruara, jashtë kufijve të të imagjinueshmes artistike apo skenike, të polemizuar pafund, ato kanë gjithsesi miliona adhurues në mbarë Botën.

Adoleshentët për VIP-at

Adoleshentët dhe të rinjtë janë ndjekësit më koherentë të botës së muzikës dhe “showbiz”-it.

Ata kanë idhujt dhe të preferuarit e tyre, pavarësisht nëse këta janë apo jo një model i mirë për t’u pasur në konsideratë: “I ndjekim dhe i pëlqejmë shumë, sidomos personazhet e muzikës.”

Disa i adhurojnë përtej performancës publike, duke i imituar sjelljet dhe mënyrën e tyre të të veshurit.

“Kam vënë re që shumë vajza imitojnë modelet e flokëve, mënyrën e veshjes apo sjelljet provokative”, thotë një e re.

Megjithatë, këta të rinj kryeqytetas duket se u distancohen mjaftueshëm modeleve që përcjellin yjet që kanë zgjedhur të ekzagjerojnë me performancat e tyre.

“Janë shumë të tepruara nëpër videoklipe apo spektakle. Mendoj se ndikohen vajzat nën 16 vjeç. Rihanna apo Miley Cyrus janë shembull i keq për to.”

Top Channel