Një sasi droge prej 60 kilogramë e llojit marijuanë është sekuestruar nga autoritetet në pikën kufitare të Kakavijës.
Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave sasia e drogës është gjetur në një autobus linje që shkonte për në Greqi.
Sipas burimeve, gjatë kryerjes së kontrolleve të automjetit, agjentët kanë zbuluar dy hapësira të posaçme për të fshehur lëndën narkotike.
Pas sekuestrimit të saj, agjentët i kanë vënë prangat drejtuesit të automjetit, i identifikuar si Artan Sinani, saktësojnë më tej burimet.
Në vitet e fundit në vend është rritur konfiskimi i drogave që kalojnë përmes territorit tonë. Ndër sasitë më të mëdha të bllokuara së fundmi ka qenë ajo prej 600 kilogram kanabis, që u kap nga policia e Durrësit gjatë një operacioni në portin e qytetit.
Pas informacioneve të marra në rrugë operative, policia bllokoi një trajler, teksa droga ndodhej e fshehur në tavanin e tij. Policia njoftoi se arrestoi shoferin dhe se dyshonte se kishte të bënte me një rrjet trafiku, që mendohej të kishte bazën në shtetin fqinj, Itali.
Ndërkohë, nuk kanë munguar edhe konfiskimet më “modeste”, si ato të dy rasteve të verifikuara më herët gjatë muajit në Gjirokastër, ku në dy operacione u kapën përkatësisht 25 dhe 90 kilogramë kanabis sativa.
Top Channel