Filipine, SHBA dërgojnë tre anije

14/11/2013 00:00

Një aeroplanmbajtëse amerikane dhe dy anije të tjera pritet të mbërrijnë në ishujt Filipine për të ndihmuar komunitetet e shkatërruara nga tajfuni “Haiyan”.

Anija “USS George Washington” do të zgjerojë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe do të sigurojë një platformë për helikopterët, me qëllim lëvizjen e ndihmave, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.

Kryekomandanti amerikan në Filipine tha për BBC se ndihma ushtarake e Shteteve të Bashkuara do të arrijë një shkallë të papreçendentë.

Rreth 11 milionë persona janë prekur nga tajfuni. Edhe pse bilanci i viktimave flet për mbi 2.300 të vdekur, autoritetet lokale druhen se shifra mund të jetë shumë më e lartë.

E ndërkohë që pamjet e njerëzve që vuajnë kanë bërë xhiron e botës, përpjekje madhore për ndihma po bëhen në shkallë ndërkombëtare.

Aeroplanmbajtësja “USS George Washington” pritet të mbërrijë në Filipine më vonë gjatë së enjtes, bashkë me dy anijet e tjera mbështetëse, ka bërë të ditur Marina amerikane.

Dy anije luftarake ndodhen tashmë në brigjet e ishujve dhe dy anije të tjera po amerikane pritet të mbërrijnë pas një jave, ka saktësuar i njëjti burim. Ditën e mërkurë,

Shtetet e Bashkuara urdhëruan gjithashtu aktivizimin e një anijeje spitalore “USNS Mercy”. Gjithësesi, ajo pritet të arrijë ishujt jo më parë se dhjetori.

Oficeri i marinës Paul Kennedy tha për BBC se ndihma e Shteteve të Bashkuara po avancon në këtë nivel për herë të parë për çështje të krizës humanitare.

Top Channel