Ukrainë, Tymoshenko mbetet në burg

13/11/2013 15:25

Një votim i programuar për t’u mbajtur në Parlamentin Ukrainas, nga i cili varej fati i ish-lideres të burgosur së opozitës, Yulia Tymoshenko, u anullua këtë të mërkurë.

Nuk dihet se kur një votim i ri mund të mbahet përsëri. Lirimi i ish-kryeministres është vendosur si kusht nga Bashkimi Europian për firmosjen e një marrëveshje të rëndësishme tregtare.

Si marrëveshja, ashtu edhe lirimi i Tymoshenkos mbeten për momentin pezull. Aktualisht, 52-vjeçarja është duke u trejtuar për një problem në shpinë në spitalin e burgut. Tymoshenko mbetet e burgosur që prej vitit 2011.

Marrëveshja për tregëtinë e lirë me Europën do t’i krijonte Ukrainës lehtësira për eksportet në BE, por Kievi është nën presion të shtuar nga Rusia për të mos pranuar.

Nga ana e saj, Moska është duke u përpjekur që të bindë Ukrainën që t’i bashkohet unionit tregëtar që ajo ka krijuar, e ku përfshihet për momentin Kazakistani e Bjellorusia.

Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych realizoi një vizitë sekrete në Moskë gjatë fundjavës. Nuk është e qartë se çfarë ishin temat e biseduara prej tij në takimin me presidentin Putin.

Top Channel