Do të fillojnë më 24 nëntor punimet për ndërtimin e segmentit serb të gazsjellësit “South Stream”. Lajmin e ka bërë të ditur vetë qeveria serbe, në përfundim të një takimi në Beograd mes kryeministrit serb Ivica Daçiç dhe drejtorit të “Gazprom”, Aleksiei Miller.

Kolosi energjitik rus, në bashkëpunim me kompaninë italiane “Eni”, është titullar i projektit, që synon të sjellë gazin rus në Evropë duke shmangur territorin e Ukrainës, që shpesh herë përplaset me Moskën për çështjet energjitike.

Duke e konsideruar “South Stream” si një nga investimet më të rëndësishme dhe më të kushtueshme të dekadave të fundit në Serbi, Daçiç ka deklaruar se me këtë projekt Beogradi synon të respektojë afatet e marrëveshjes në fushën e energjisë të firmosur me Federatën Ruse.

“Është në interesin e Serbisë dhe Rusisë që një marrëveshje e tillë të zbatohet”, ka nënvizuar Daçiç, sipas të cilit e gjitha kjo është e rëndësishme për ta kthyer Serbinë në qendër energjitike rajonale.

Në një komunikatë për shtyp, kabineti i Daçiç ka saktësuar se realizimi i segmentit serb të “South Stream” kushton 1.7 miliard euro dhe se shumica e punimeve do të kryhen nga kompani serbe.

Në takimin me Miller është folur edhe për mundësinë e krijimit të segmenteve të tjera të projektit, që të mund të arrijnë Maqedoninë, Republikën Serbe të Bosnjes dhe Kosovën, me qëllim garantimin e stabilitetit energjitik të rajonit.

Top Channel