Pas dyshimeve të bazuara se tre zyrtarë të Qendrës së Numërimit të Votave në Kosovë kanë falsifikuar rezultatet e votimit gjatë numërimit të votave, një prokuror nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë filluar hetimet.

Siç njoftohet në një komunikatë për shtyp nga prokuroria, të dyshuarit janë marrë në pyetje nga hetuesi, i cili pas mbledhjes së provave të deritanishme ka kërkuar që të dyshuarit të mbrohen në liri ndërkohë që do të vazhdojnë hetimet.

Rreth orës 16:00, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion për dyshim të falsifikimit të rezultateve të votimit nga Qendra e Numërimit të Votave në Fushë Kosovë. Kjo u konfirmua për Top Channel nga zyra për informim.

Njësitet policore menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë shoqëruar për në stacionin policor 5 persona për intervistim dhe proçedura te mëtejshme ligjore, ku 3 prej tyre në cilësinë e personave të dyshuar dhe 2 në cilësi të dëshmitarëve.

“Prokurorët e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës kanë vepruar dhe do të veprojnë me urgjencë ndaj të gjitha rasteve që paraqiten në lidhje me veprat penale kundër të drejtave të votimit, si dhe do të arrestojnë dhe ndalojnë secilin person që keqpërdor ose tenton të manipuloj votën”, thuhet në komunikatën për shtyp të prokurorisë.

Top Channel