Britania: Vdekje aksidentale për spiunin e “MI6”

13/11/2013 16:05

Vdekja e një ish-spiuni të “MI6”, i cili u gjet i pajetë brenda një çante sportive me dryn në vitin 2010, u shkaktua me shumë gjasa nga një aksident, deklaroi të mërkurën policia britanike.

Përfundimi i policisë bie ndesh tërësisht me atë të mjekut ligjor, i cili argumentoi se me shumë gjasa, 31-vjeçari ishte vrarë.

Megjithatë, policia bëri të ditur se prova të reja sugjerojnë se “ka më shumë mundësi që vdekja e efektivit të shërbimeve sekrete të ketë qenë aksidentale”.

Familja e Williams kundërshtoi gjetjet e policisë, duke theksuar se ata vazhdojnë të besojnë raportin e mjekut ligjor.

Trupi i Williams u gjet i zhveshur brenda një çante sportive të mbyllur me dryn, në tualetin e banesës së tij në Londër.

Pavarësisht këtyre rrethanave të pazakonta, policia sugjeron që Williams mund të jetë futur vetë në çantë për ndonjë arsye të paqartë.

Rreth vdekjes së ish-spiunit të “MI6”, në Britani qarkullojnë teori të shumta spekulative, sipas të cilave ai është vrarë nga shërbimet sekrete vendase apo të huaja për një arsye të panjohur dhe se janë vetë autoritetet ato që po mbulojnë rrethanat e vdekjes.

Top Channel