Zyrtarët e dy Ministrive të Arsimit, në Shkup dhe Tiranë, kanë intensifikuar komunikimin, në kuadër të përpjekjeve për të rinovuar marrëveshjen bilaterale në sferën e arsimit, e cila ka skaduar tre vite më parë.
Këtë e ka bërë të ditur zv/ministri i Arsimit në Maqedoni, Safet Neziri, i cili paralajmëroi se së shpejti pritet të realizohet një takim bilateral mes drejtuesve të këtyre ministrive, për t’i hapur rrugën rivendosjes së bashkëpunimit në këtë sferë shumë të rëndësishme për dy vendet.
“Në të kaluarën, nga Ministria e Arsimit në Shqipëri na janë mundësuar vende të posaçme në universitetet e Shqipërisë, pra kuota për studentët nga Maqedonia, që kanë studiuar atje. Pas skadimit të kësaj marrëveshjeje, brenda kësaj periudhe tre vjeçare ka ekzistuar një pauzë, duke u pamundësuar studentëve tanë të studiojnë në Shqipëri. Besoj që autoritetet e të dyja ministrive do ta kenë parasysh këtë dhe do t’i përgjigjen pozitivisht nevojave dhe kërkesave të studentëve”, tha Safet Neziri, zv/ministër i Arsimit në Maqedoni.
I pyetur nëse me rinovimin e kësaj marrëveshjeje do t’i mundësohet shkollave në gjuhën shqipe në Maqedoni të përdorin abetaren mbarëkombëtare, zv/ministri Safet Neziri nuk dha një përgjigje konkrete.
“Marrëveshja e bashkëpunimit ose memorandumi, që do të nënshkruhet mes dy ministrive, do të përfshijë me nene të posaçme të gjitha sferat, por, paraprakisht në aspektin teknik, do të ulen grupet e punës së të dyja ministrive dhe do të hartojnë memorandumin për bashkëpunim dhe normalisht do të përfshihen ato sfera, që prekin interesat e të dyja vendeve”, tha Safet Neziri.
Marrëveshja bilaterale e vitit 2007, mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në sferën e Arsimit, ka skaduar në dhejtor të vitit 2010. Mungesa e kësaj marrëveshjeje ka pamundësuar shkëmbimin e teksteve shkollore mes dy vendeve, hulumtimet shkencore dhe bashkëpunimin në programet arsimore.
Top Channel