
Ndërmjetësja e dialogut Kosovë-Serbi, baronesha Catherine Ashton do të
ftojë në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të
Serbisë, Ivica Daçiç, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve në veri të
Kosovës.
“RTK” raporton se diplomatët evropianë presin që pas përsëritjes së zgjedhjeve në vendvotimet e Mitrovicës së Veriut, cikli zgjedhor të përmbyllet krejtësisht më 1 dhjetor, kur do të mbahet gara e balotazhit.
Kryeministri Daçiç ka deklaruar për mediat serbe se më 5 dhe 13 dhjetor do të takohet me përfaqësuesen lartë të BE-së për Politikën e Kashtme, me të cilën do të bisedojë për Kosovën dhe për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.
Ai ka thënë se serbët duhet të dalin në raundin e dytë të zgjedhjeve në Mitrovicë, pasi sipas tij Bashkësia e komunave serbe nuk do të mund të konstituohet nëse kryetari do të jetë shqiptar.
Në takimin e fundit mes tyre, pak ditë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, Thaçi dhe Daçiç ranë dakort në Bruksel për përsëritjen e procesit zgjedhor në zonat problematike të veriut të Mitrovicës.
Kryeministri Thaçi bëri të ditur pas takimit se, zgjedhjet në veri do të mbahen para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohen më 1 dhjetor.
Ndërsa kryeministri serb Daçiç iu bëri thirrje serbëve të Kosovës për proces të rregullt zgjedhor në veri, që të mos luajnë me fatin e Serbisë, rrugëtimi evropian i së cilës varet nga zbatimi i Marrëveshjes së prillit.
Top Channel