Dhjetëra fshatra në zonën kodrinore dhe malore në Tepelenë janë duke u
braktisur me ritme të shpejta për shkak të vështirësive të jetës. Në
këto zona mungojnë plotësisht shërbimet, nuk funksionojnë qendrat
shëndetsore dhe shkollat.

Banorët në fshatin Turan të komunës Qendër-Tepelenë kalojnë muaj të tërë gjatë dimrit pa energji elektrike dhe rruga që të con atje është plotësisht e amortizuar. 30 familje të mbetura në fshat nga 150 që banonin dikur këtu nuk kanë ujë të pijshëm. Ata mbushin ujë në dy çezma publike të ndërtuara gati një shekull më parë.
Ndërkaq banorët vuajnë gjendje kritike ekonomike për shkak se nuk munden ta punojnë tokën. Të ardhurat e tyre me vështirësi përballojnë jetesën e përditshme.

Tkurrja e këtyre zonave ndodhi menjëherë prej shkatërrimit të sistemeve të ujitjes dhe kullimit të tokave, shkatërrimit të rezervuarëve të dikurshëm dhe pamundësisë për të çuar prodhimet në treg. Emigrantët e rikthyer nga Greqia nuk e shohin më të ardhmen e tyre në fshat. Ata kanë migruar drejt qyteteve duke lënë pas shtëpi të rrënuara dhe hapësira të tëra toke të bratisur në të gjithë zonat kodrinore dhe malore të Tepelenës.

Top Channel