Siri, luftime të ashpra në Damask

12/11/2013 21:35

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në rrethinat e Damaskut, pasi forcat qeveritare po vazhdojnë mësymjen e tyre mbi lagjet e kontrolluara prej kryengritësve.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përleshjet janë përqendruar këtë të martë në periferinë e Haxhirës.

Gjatë javës së shkuar, ushtria e rregullt riktheu në zotërimin e saj qytezën e Sbeinehut, një prej pikave më të rëndësishme strategjike pranë Damaskut në duart e rebelëve.

Televizioni Shtetëror Sirian gjithashtu raportoi se disa lagje të tjera të kryeqytetit janë goditur nga predhat e mortajave.

Të paktën 16 persona mbetën të plagosur si rrjedhojë e goditjes nga copëzat e predhave të mortajës gjatë ditës, ndërsa të hënën, katër fëmijë dhe mësuesi i tyre u vranë kur një predhë goditi shkollën në lagjen e krishterë të Bab Sharqit.

Lufta civile e nisur në Mars 2011 i ka marrë jetën mbi 110 mijë sirianëve deri më tani.

Top Channel