Rusia mund ta rishikojë qëndrimin e saj për mosnjohjen e Kosovës dhe
pengesat për anëtarësimin e saj në OKB vetëm nëse Beogradi bën një
kërkesë të tillë.

Deklarata është bërë nga ambasadori rus në Beograd, Alexander Chepurin. “Përderisa pozicioni i Serbisë është i palëkundur, edhe pozicioni ynë nuk do të ndryshojë”, tha Chepurin.

Ai shtoi se Rusia respekton me rigorozitet marrëveshjet me Serbinë dhe do të pengojë çdo përpjekje që Kosova të bëhet vend anëtar i Kombeve të Bashkuara.

Siç raporton agjencia “Interfax” nga Moska, këto komente ambasadori rus i bëri në një intervistë për gazetën beogradase “Peçat”. “Por, nëse Beogradi na thotë ta njohim, atëherë kjo do të ishte një situatë tjetër”, shtoi Chepurin.

Vetoja e Rusisë pengon njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, situatë të cilën Prishtina mund ta ndryshojë vetëm nëse vendi njihet nga rreth 120 shtete të botës.

Top Channel