Transferohet në Prokurorinë Speciale të “Eulex”-it lënda për gjashtë personat e arrestuar, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

Këtë e konfirmoi për “Top-Channel” kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka.

Ndonëse detaje të tjera lidhur me rastin zyrtarisht nuk jepen, mësohet se në fazën fillestare kanë punuar tre prokurorë vendas, të cilët pas zbulimit të elementeve të terrorizmit propozuan që siç e kërkon ligji i Prokurorisë Speciale, lënda të kalojë në duart të prokurorëve ndërkombëtarë.

Tregti me armë, armëmbajtje pa leje, sulm fizik dhe vepër penale nxitje e  urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit fetar dhe racor janë disa nga veprat e tjera për të cilat dyshohen të arrestuarit.

E ndërsa prokuroria po punon mbi këtë çështje, një kërcënim tjetër ka shkuar në adresë të Policisë së Kosovës.

Një grup i vetëquajtur “Xhemati i Xhihadit” kërcënon Policinë e Kosovës se nëse nuk i liron gjashtë të arrestuarit do të përballet me sulme të dhimbshme.

“Pa dyshim ne kemi burra të cilët e duan vdekjen më shumë se sa ju jetën e kësaj bote. Është ushtria e Allahut, e cila do të triumfojë dhe ajo e Brankviqt e cila do të mbytet në gjakun e tyre”, thuhet në komunikatën e komandant Muxhahidit, siç shkruhet në fund të saj.

Komunikata citon edhe dy sure të librit të shenjtë Kuranit për luftën.

“Top Channel” ka provuar të kontaktojë me personat të cilët kanë shpërndarë njoftimin nëpërmjet adresës së tyre [email protected], por nga kjo adresë nuk është kthyer përgjigje.

Nga ana tjetër, policia e komentoi shkurt kërcënimin. “Policia e Kosovës e merr në trajtim çdo informacion i cili ndërlidhet në një mënyrë apo tjetër me aspektin e sigurisë apo punës e cila bie në sferën e juridiksionit të policisë”, tha zëdhënësi Baki Kelani.

“Koha Ditore” ka shkruar se në mesin e gjashtë personave të arrestuar, njëri prej tyre ka luftuar në Siri.

Sipas kohës ditore, shtetasi kosovar Genc S. pretendon se është ndjekës i udhës së Al-Kaedës në Ballkan dhe paralajmëron ardhjen e saj së shpejti.

Gjashtë të arrestuarit aktualisht janë duke vuajtur masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Top Channel