Egjipti, vendi më i keq për të drejtat e grave

12/11/2013 00:00

Egjipti është vendi më i keq përsa i takon respektimit të të drejtave të grave në botën Arabe, thotë një studim i hartuar nga ekspertët.

Studimi ka zbuluar se sulmet seksuale, gjymtimi seksual i femrave dhe rritja e grupeve islamike konservatore ka kontribuar në vlerësimin negativ.

Studimi i kryer nga Fondacioni Thomson Reuters konsultoi mbi 330 ekspertë në 21 shtete të Ligës Arabe, si dhe në Siri.

Bëhet fjalë për studimin e tretë vjetor të fondacionit, që fokusohet në të drejtat e grave, që nga fillimi i Pranverës Arabe në vitin 2011. Iraku u rendit vendi i dytë më i keq pas Egjiptit, i pasuar nga Arabia Saudite, Siria dhe Jemeni.

Ishujt Komore, ku gratë mbajnë 20 për qind të posteve ministrore, ndodhet në krye të klasifikimit, i ndjekur nga Omani, Kuvajti, Jordania dhe Katari.

Studimi u kërkoi ekspertëve mbikëqyrjen e disa faktorëve si dhuna ndaj grave, të drejtat e riprodhimit, trajtimi i grave brenda familjes dhe roli i saj në politikë dhe ekonomi.

Ligjet diskriminuese dhe trafiqet e qënieve njerëzore kontribuojnë në vendosjen e Egjiptit në fund të listës së 22 vendeve arabe, thotë studimi.

“Atje ka fshatra të tërë në rrethinat e Kajros dhe gjetkë ku pjesa dërrmuese e aktivitetit ekonomik bazohet në trafikun e grave dhe martesat e detyruara”, deklaroi Zahra Radwan, nga grupi i të drejtave të njeriut me bazë në SHBA, Fondi Global për Gratë.

Top Channel