Bazuar në punën e tij studimore mbi 20-vjeçare, arkitekti Maks Velo ka përmbledhur për botim mendimet dhe gjetjet e tij lidhur me arkitekturën, urbanistikën dhe planifikimin e territorit në Shqipëri.
“Betonizimi i Demokracisë” sjell për lexuesit një panoramë të qartë të gjendjes, në të cilën gjendet vendi pas gjithë këtyre viteve, në të cilat kanë mbizotëruar ndërtimet pa leje, shpesh të financuara – sipas autorit – nga bota e krimit.
Gjithashtu, autori flet për problemet e theksuara me projektimin e objekteve, të lidhura ngushtë edhe me arsye politike apo vendimmarrje të gabuara nga kryetarët e bashkive dhe komunave.
“Urbanistika dhe arkitektura flasin me gjuhën më të qartë për karakterin e një populli dhe te ne tregojnë se jemi secili për vete dhe më vete, pa ditur ç’është qyteti dhe bashkësia që dëmtimin e natyrën e quajmë hiç dhe egoizmin primitiv e shfaqim me egërsinë e volumeve. Betonizimi është forma më e lartë e vetëshkatërrimit të një shteti. Këtë e realizuam ne. Një ndjenjë kaosi, dis-harmonie të pushton kur sheh qytetet tona. Kjo jep një goditje të fortë psikologjike, të dekurajon për të gjithë punët e tjera”, është shprehur Maks Velo, autor i “Betonizimi i Demokracisë”.
Velo ka ngritur shqetësimin edhe mbi mungesën e theksuar të teksteve mbi shkencën dhe teknikën, urat, rrugët e rrëshqitjen e dherave. Gjithashtu, ai pohon se punimet publike te ne bëhen me një cilësi aq të dobët, sa duhen përsëritur pas 4 ose 5 vjetësh.
I pranishëm në promovim ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka vlerësuar kontributin e çmuar të Maks Velos, edhe me këtë libër. Z. Rama është shprehur se ndërgjegjësimi është rritur dhe se tani është koha që Shqipëria, me patjetër të merret në mbrojtje nga trysnia e papërmbajtshme e barbarisë së mishëruar përmes ndërtimtarisë kuturu, në gjithë territorin e vet.
Top Channel