Ukrainë, arrestohet avokati i Tymoshenko

11/11/2013 20:25

Avokati mbrojtës i ish-kryeministres dhe lideres së burgosur të opozitës ukrainase, Yulia Tymoshenko, u  ndalua të hënën nga policia, informuan mediat vendase.

Prokurorët në Kiev thanë se kanë marrë në pyetje avokatin Serhiy Vlasenko, por nuk pranuan të detajonin se çfarë motivoi këtë hetim.

Tymoshenko, drejtuesja e Revolucionit të Portokallinjtë të 2004-s është duke u trajtuar aktualisht në kushtet e izolimit për një dëmtim në shpinë.

Ndërkohë, Ukraina vendosi që të ndalojë importimin e gazit rus për një kohë të papërcaktuar.

Importi i gazit ka qenë në qendër të konflikteve të politikës ukrainase prej vitesh.

Tymoshenko u dënua me shtatë vjet heqje lirie në 2011-n, për abuzim pushteti në nënshkrimin e një kontrate të importit të gazit nga Rusia, një vendim që sipas ish-kryeministres është i motivuar politikisht.

Bashkimi Europian ka kritikuar vazhdimisht ashpër Ukrainën për këtë burgosje dhe ka kushtëzuar nënshkrimin e një marrëveshje madhore të tregëtisë me lirimin e Tymoshenkos.

Top Channel