Poloni, marshimi i Pavarësisë i dhunshëm

11/11/2013 23:30

Policia polake ka gjuajtur me plumba gome dhe ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë përplasjet e dhunshme gjatë një marshimi për ditën e Pavarësisë në kryeqytetin Varshavë.

Një numër i madh njerëzish janë plagosur gjatë tubimit të përvitshëm të organizuar nga lëvizjet e ekstremit të djathtë dhe ato nacionaliste.

Dhuna nisi kur grupet e të rinjve u ndanë nga turma kryesore e marshimit për të sulmuar një grumbull njerëzish dhe për t’i vënë zjarrin automjeteve.

Ata gjithashtu i vunë flakën edhe një harku me ngjyrat e ylberit, i cili simbolizonte tolerancën, si dhe u përpoqën të sulmonin ambasadën ruse në Varshavë.

Protestuesit, shumica e të cilëve mbanin maska, hodhën fishekzjarre ndaj misionit diplomatik. Disa prej të rinjve u përpoqën të thyenin gardhin e godinës, por u ndaluan nga policia.

“Nuk ka justifikim për hooliganizmin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme polake, Marcin Wojciechowski.

Autoritetet thanë gjithashtu se të paktën 4 oficerë policie ishin mes të plagosurve gjatë dhunës së shpërthyer. Mijëra njerëz dolën në rrugë për të marrë pjesë në marshimin, që nisi i zhurmshëm por paqësor. Ata mbanin flamuj bardhekuq të Polonisë dhe thërrisnin “Zoti, nderi, atdheu”.

Për të tretin vit radhazi gjatë marshimit shpërthen dhunë, sipas korrespondentit të BBC-së. Marshimi përkujton ditën kur Polonia fitoi Pavarësinë në fund të Luftës së Parë Botërore, në 1918.

Më parë, Polonia ishte e përçarë mes Rusisë, Prusisë dhe perandorisë Austro-Hungareze.

Top Channel