Kroacia ka përforcuar ekipin e saj të ekspertëve juridikë, që do të përfaqësojnë padinë për genocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë.

Sipas raportimeve të së përditshmes “Jutarnji List”, në ekipin ligjor janë shtuar anëtarët britanikë: James Crawford, Philippe Sands dhe Keir Starmer.

“Detyrë e ekipit është që padinë për genocid ta përfaqësojë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’i shpjegojë botës se çfarë ka ndodhur me të vërtetë”, tha minsitri kroat i Drejtësisë, Orsat Mileniç.

Ministri ka shtuar se, kur i gjithë materiali i mbledhur të publikohet do të shihet se Republika e Kroacisë nuk i ka harruar viktimat dhe se kush i ka bërë masakrat.

Ai ka shtuar se qeveria kroate do të ndërmarrë të gjitha masat për ndjekjen e krimeve të luftës në mënyrë sa më efikase.

Ekipi juridik i Kroacisë përbëhet edhe nga tre ekspertë kroatë, ndërsa udhëheqëse është profesoresha e së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në Rijekë, Vesna Cërniç-Grotiç.

Top Channel