Vuçiç paralajmëron dorëheqjen, analistët zbulojnë planin: Synon postin e kryeministrit Kuvendi i Kosovës tejkalon përkohësisht krizën në të cilën është futur prej disa muajsh. Kjo, pasi me kërkesë të kryetarit Jakup Krasniqi, subjektet politike u pajtuan që t’i largojnë nga rendi i ditës, për seancën e kësaj jave, dy çështjet për të cilat pozita e opozita nuk pajtohen: krijimin e komisionit parlamentar për hetimin e privatizimit të PTK-së dhe miratimin e raportit qeveritar për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje.
Pas mbledhjes së kryesisë, kryeparlamentari ftoi subjektet politike që të zgjidhin ngërçin e krijuar në tavolinë diskutimi gjatë kësaj jave, në të kundërt puna e Kuvendit rrezikon bllokimin.
“Është një zgjidhje e përkohshme që u jep mundësi pikave në rendin e ditës të kalojnë. Të hënën tjetër ne do të bisedojmë sërish. Unë kërkova nga kryetarët e grupeve parlamentare që të bisedojnë përbrenda grupeve të tyre dhe ta zhbllokojnë punën e Kuvendit”, tha Krasniqi.
Përfaqësuesit e grupeve parlamentare thonë se nuk do të ndryshojnë qëndrim as gjatë kësaj jave. E paparashikueshme duket të jetë situata kur në radhë do të jetë projektligji për buxhetin e shtetit.
“Ju e dini që së shpejti do të vijë edhe projektligji për buxhetin, i cili pas Kushtetutës është ligji më i rëndësishëm. Nëse projektligji për buxhetin nuk vjen sa më shpejt në rend të ditës, atëherë do të bllokohet edhe shteti dhe jo vetëm parlamenti”, Hilmi Reçica, nënkryetar i grupit parlamentar të PDK-së.
“Për ne të gjitha pikat janë të rëndësishme, ndërsa për këta është i rëndësishëm vetëm buxheti. Ata mendojnë që ta shtyjnë, por ne e dimë që kjo qeveri është e rrëzuar dhe nuk ekziston. Por, ajo që është e rëndësishme është se me propozimin e kryetarit Krasniqi ne u pajtuam dhe ne jemi ata që po e zhbllokojmë punën e Kuvendit, së paku edhe për një seancë. Ndërkaq, kurdo që vjen në rend ditës, ne kërkojmë formimin e komisionit hetimor për të hetuar një vendim të paligjshëm të qeverisë”, tha nga ana tjetër Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së.
Kuvendi i Kosovës nisi të bëhet jo funksional kur opozita, përkatësisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje iniciuan krijimin e komisionit hetimor për hetimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së me arsyetimin se janë bërë shkelje ligjore gjatë gjithë procesit të shitjes.
Një hap ky që rezultoi i papranueshëm për pozitën, e cila në këmbim të votës për komisionin kërkoi fillimisht miratimin e raportit qeveritar për privatizimin e PTK-së, një çështje që do ta mbyllte edhe ligjërisht shitjen e ndërmarrjes.
Top Channel