Irani u tërhoq nga marrëveshja

11/11/2013 00:00

Irani u tërhoq nga firmosja e një marrëveshjeje me Perëndim në momentet e fundit të bisedimeve. Kështu deklaroi Sekretari i Shtetit, John Kerry për gazetarët nga Abu Dhabi ku ndodhet për një vizitë zyrtare.

Kryediplomati amerikan tha se pavarësisht skepticizmit francez, Parisi pranoi të firmosë në parim marrëveshjen e diskutuar, Uashingtoni po ashtu dhe gjithë palët e tjera, por në momentin e fundit, sipas tij, Teherani është tërhequr.

“Shpresoj që brenda pak muajve mund të gjejmë një marrëveshje që të plotësojë kërkesat dhe standardet e të gjithëve”, tha Kerry.

Përfaqësues të grupit 5+1 ku përfshihet SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania u takuan me palën iraniane për tri ditë me radhë në Gjenevë. Bisedimet e nisura të enjten e javës së kaluar zgjatën deri të shtunën, por pa asnjë marrëveshje në fund të tyre.

Edhe njëherë tjetër Irani këmbënguli se programi i tij bërthamor është vetëm për synime paqësore, por Uashingtoni dhe aleatët e tij dyshojnë se Republika Islamike synon ndërtimin e një bombe bërthamore.

Ndërkohë, të hënën kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Yukiya Amano deklaroi arritjen e një marrëveshjeje me Iranin përm “bashkëpunim”. Sipas kësaj marrëveshje, inspektorët e agjencisë do të mbikqyrin në terren centralet bërthamore të Iranit.

Ekspertët ndërkombëtarë thonë se hapja e Teheranit ndaj ANEB-it do të ndihmojë paralelisht në bisedimet mes tij dhe fuqive botëror. Bisedimet e radhës mes grupi 5+1 dhe Iranit pritet të zhvillohen më 20 nëntor.

Top Channel