Deputeti francez qëllohet me thikë

11/11/2013 15:25

Një deputet i Parlamentit Francez u qëllua me thikë në një qytezë pranë Marsejës, gjatë një ceremonie përkujtimore ndaj të rënëve të Luftës së Parë Botërore.

Bernard Reynes, një deputet i krahinës së Bouches-de-Rhones u sulmua përpara një varreze të dëshmorëve në Chateaurenard, ku kryen gjithashtu edhe funksionin e kryetarit të bashkisë.

Dy politikanë të tjerë morën plagë të lehta, përpara se agresori të arrestohej.

11 Nëntori është data në të cilën përfundoi Lufta e Parë Botërore, në vitin 1918.

Sipas të përditshmes “Le Figaro”, personi që kreu këtë sulm kishte probleme mendore. Ai besohet të jetë rreth 30 vjeç.

Reynes, një deputet i të djathtës së UMP-së në opozitë, ndodhet duke u trajtuar në një spital, ku është deklaruar jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel