Tragjedia në minierën e Pogradecit

10/11/2013 00:00

“Në Beragozhdë, jeta fillon dhe përfundon në këto galeri. Pak ditë më parë, një tragjedi u mori jetën 5 të rinjve, por edhe sot gjithçka vazhdon të jetë e njëjtë. Galeritë mbeten të hapura, ndërsa mbi to duket qartë rreziku që u kanoset këtyre banorëve. Kushtet ekstreme, varfëria dhe skamja, i detyrojnë ata që të shkelin mbi vdekjen dhe të gërmojnë për të nxjerrë skrap, për të mbijetuar e për t’u përballur me jetën e vështirë”.

Tragjedia e Beragozhdës ishte paralajmëruar, ndërsa askush nuk lëvizi, por priti të ndodhte.

Kjo, për shkak se ky fshat ka me dhjetra galeri të braktisura, ku, për shkak të varfërisë së tejskajshme, banorët e zonës i përdorin ato për mbijetesë.

Galeritë pa mbikqyrje dhe të mbushura me metale për skrap, si dhe varfëria nga kahu tjetër, janë ruleta ruse e Beragozhdës.

Mungesa e tokës bujqësore, dimri i gjatë dhe i ashpër, terreni malor dhe papunësia, i detyrojnë banorët që të kenë këto galeri, si të vetmen mënyrë jetese. Për më shumë se 20 vjet, dhjetra galeri, ku më parë nxirrej qymyr, janë të braktisura, por ato janë të hapura dhe atje mund të hyhet lehtësisht.

Banorët pohojnë se varfëria dhe mungesa e punës i detyron që të hyjnë atje, pa marrë parasysh rreziqet.

Nga ana tjetër, specialistët flasin për rreziqe maksimale që u kanosen, atyre që hyjnë në këto galeri të braktisura. Sipas tyre, e vetmja zgjidhje do të ishte bllokimi i galerive me lëndë plasëse, në një distancë të konsiderueshme, që askush të mos mundet t’i hapë përsëri.

“Mbyllja e këtyre galerive është e vetmja zgjidhje. Grykat e tyre me një gjatësi prej 10-50 metrash mund të mbyllen me plasje masive, në mënyrë që të mos ketë më kontakte të mundshme nga jashtë”, tha Ahmet Çela, inxhinier minierash.

Pak ditë më parë, në këto galeri humbën jetën pesë të rinj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA