Sausan Ghosheh, e dërguara në Siri e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Kundër Përdorimit të Armëve Kimike, në një intervistë telefonike për “Top Channel” nga Damasku, ka pohuar se procesi i mbledhjes së armëve kimike është duke shkuar sipas planit të hartuar.
Ghosheh shtoi se më datë 15 nëntor pritet të mblidhet Këshilli Ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, për të vendosur lidhur me procedurat e shkatërrimit dhe vendin.
“Procesi është duke shkuar sipas planit dhe ne, aktualisht, jemi në pritje të mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, që do të mbahet më datë 15 nëntor, ku do të diskutohet dhe miratohet dhe plani i shkatërrimit të këtyre armëve kimike. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke kryer dhe verifikimet tona lidhur me gjendjen e armëve kimike”, tha Sausan Ghosheh, përfaqësuese e misionit të UN-OPCË në Siri.
E pyetur lidhur me zërat se Shqipëria do të jetë një nga vendet ku do të kryhet ky proces, Sausan Ghosheh ka deklaruar:
“Unë nuk di të them asgjë, pasi nuk mund të ketë asnjë plan përfundimtar pa vendimin e Këshillit Ekzekutiv të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, që do të mbahet më datë 15 nëntor, kështu që është ende herët të themi diçka për Shqipërinë, apo edhe për çdo shtet tjetër. Është Organizata, që është përgjegjëse për këtë proces, dhe asnjë vendim nuk mund të merret pa miratimin e saj, pasi është kjo organizatë, ajo e cila përcakton gjithçka lidhur me sigurinë e armëve kimime dhe harton planin përfundimtar”, tha Sausan Ghosheh.
Më tej, e dërguara e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike ka deklaruar se këto organizata janë të gatshme të ndihmojnë vendet, që do marrin përsipër procesin e demontimit me ekspertët e tyre dhe mjetet e nevojshme.
Në fund të intervistës, Ghosheh është shprehur edhe një herë se më datë 15 nëntor pritet të vendoset dhe fati përfundimtar i armëve kimike të Sirisë, në bazë të një plani të detajuar, që do të hartohet gjatë mbledhjes së Këshillit Ekzekutiv të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.
Armët kimike, alarmohen italianët
Media: Frikë për ndotjen e Puglias, është 70 km larg Shqipërisë
Alarm edhe në Itali, kryesisht në zonën jugore të Puglias, pas lajmit të mbërritjes së mundshme të armëve kimike siriane në Shqipëri.
Lajmi është dhënë nga mediat kryesore kombëtare, si gazeta e rëndësishme ekonomike “il Sole 24 Ore”, agjencia e lajmeve “ANSA”, apo edhe nga shtypi lokal.
Hipoteza e një arsenali të tillë, vetëm 70 km larg Puglias, ka krijuar shqetësim, dhe jo vetëm te mbrojtësit e mjedisit.
Kjo zonë e Italisë, e cila për vite me radhë ka qenë porta kryesore e kontrabandistëve dhe trafikantëve nga më të ndryshimit, tani është pika më e afërt me ndotjen, që sipas mediave vendase mund të sjellë proçesi i shkatërrimit të armëve kimike, nëse ai do të kryhet në Shqipëri.
Në shkrimet e ndryshme kujtohet se Puglia ka qenë udhëkryq, ku kanë qarkulluar armë nga më të ndryshmet, që nga ato të kapura në vitin 1988, me destinacion Irakun e Saddam Husein, e deri tek ato të sjella nga Shqipëria, në periudhën e krizës së piramidave financiare të vitit 1997.
Si demontohen armët kimike?
Teknologjia ndalon groposjen në tokë, hedhjen në det dhe në gropat e djegies
Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, e cila fitoi muajin e kaluar çmimin Nobel për Paqen, mund ta financojë misionin e saj të shkatërrimit të arsenalit të Sirisë deri në fund të këtij muaj dhe do të duhen të tjera fonde.
Afati përfundimtar për këtë proces është mesi i vitit 2014. Burime të cituara nga agjencia e lajmeve “
“Reuters” thonë se po diskutohet për ngarkimin e anijeve me destinancion Shqipërinë, Belgjikën dhe një vend skandinav, ende të papërcaktuar.
Këto janë vende që kanë shprehur gatishmërinë, siç shkruan agjencia prestigjioze e lajmeve, për të pasur impiante ku të shkrumbohen apo neutralizohen armët kimike. “Nga ana tjetër, kompani në Shtetet e Bashkuara, Gjermani dhe Francë, – siç shkruan “Reuters”, – po konkurrojnë mes tyre për të fituar kontratat, që do të garantojnë ngritjen e impianteve në vendet ku do të kryhet procesi i shkatërrimit”.
Por, si shkatërrohen armët kimike?
Në faqen e internetit të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, në pjesën ku flitet për “Teknologjitë e Shkatërrimit”, shkruhet së pari për metodat e ndaluara sipas Konventës së Armëve Kimike, të cilat janë: hedhja e çdo elementi në ujë, groposja në tokë, apo në gropat e djegies.
Teknologjitë e shkatërrimit të armëve kimike janë zhvilluar për të eliminuar: municione artilerie, mortaja, bomba ajrore, raketa, mbushje raketash, spërkatësit, përbërësit kimikë të ruajtur në grumbuj, municione të dyfishta.
Teknologjitë e shkatërrimit të armëve kimike ndahen në dy grupe të mëdha, duke iu referuar Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike: teknologjitë e përdorura në temperaturë të lartë, siç është shkrumbimi, dhe në temperature të ulët, siç është hidroliza, e cila ndiqet nga procesi i eliminimit të masave të përftuara.
Në Shtetet e Bashkuara, teknologjia bazë e shkrumbimit aplikohet aktualisht në 4 impiante, në Tooele, Anniston, Pine Bluff dhe Umatilla. Pasi municionet e armëve kimike janë çmontuar, atëherë është bërë ndarja në tre grupe; agjenti apo përbërësi kimik, eksplozivi dhe disa copëza metalike.
Çdo grup trajtohet ndarazi. Djegia e përbërësit në furrën e djegies (me 2700 gradë Farenhait, apo rreth 1483 gradë Celsius) dhe trajtimin e mëpasshëm në një furrë me rreth 2000 Farenhait apo përafërsisht 1100 gradë Celsius, që çon 99.9999% në shkatërrimin dhe mineralizimin e përbërësve organikë.
Oksidet e gjeneruara dhe gazet acide eliminohen nga filtrimi. Kutitë e boshatisura të municioneve dhe konteinerët disinfektohen nga trajtimi termik. Shqetësimet publike në SHBA kanë çuar në zhvillimin e procedurës me temperaturë të ulët, që konsiderohet si alternativë e asaj bazikes, apo djegies.
Hidrolizatet e gjeneruara eliminohen pakthyershmërisht në një impiant të posaçëm. Në Rusi, kryesorja është teknologjia me temperaturë të ulët dhe janë pesë impiante që përdoren për këtë: Maradikovski, Kizner, Leonidovka, Pocep dhe Scucje.
Masa e përftuar nga reaksioni eliminohet me djegie apo bitumizim. Veçoria specifike e këtyre operacioneve është neutralizimi i agjentit kimik brenda trupave të municioneve, masa që përftohet hidhet në një furrë djegieje.
Trupat e copëzuar të municioneve i nënshtrohen trajtimit termik dhe më pas zhdukjes së tyre në vend. Prej krijimit të saj, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka shkatërruar mbi 50 mijë ton armë kimike, apo mbi 80% të arsenalit botëror të deklaruar.
SHBA dhe Rusia, poseduesit më të mëdhenj të armëve kimike janë shumë vite larg në shkatërrimin e arsenaleve të tyre.
Top Channel