Pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte kundër ish-komandantëve të UÇK-së reagoi edhe Partia Demokratike e Kosovës. Në reagimin dërguar mediave, PDK-ja e quan këtë veprim tendencë për të njollosur luftën e drejtë çlirimtare.

Ky subjekt politik beson fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe rrjedhimisht fton instticionet e drejtësisë që sa më parë të ndriçojnë të dhënat e aktakuzës.

“Partia Demokratike e Kosovës me rastin e publikimit të aktakuzës kundër disa ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, reagon ndaj tendencës për të njollosur luftën e drejtë çlirimtare, të zhvilluar në pajtim me të gjitha normat ndërkombëtare dhe mirëpret vendimin për pafajësinë e tyre”, thuhet në reagim.

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se institucionet e drejtësisë duhet të kenë parasysh të kaluarën e secilit person nën akuzë, aq më tepër të evidentojë me akuza si ushtar të UÇK-së persona që nuk kanë qenë në luftë.

Prokurori i misionit EULEX të premten ngriti aktakuzë kundër 15 ish-pjestarëve të UÇK-së nën dyshimin se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë kohës së luftës.

Në mesin e të akuzuarëve janë dy kryetarë të posazgjedhur komunash, Sami Lushtaku e Nexhat Demaku; deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Latif Gashi; ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi; dhe pjestarë të tjerë si:

Sahit Jashari, Sabit Geci, Hysni Thaçi, Avni Zabeli, Zeqir Demaku, Jahir Demaku, Ismet Haxha, Bashkim Demaj, Agim Demaj, Driton Demaj dhe Selman Demaj.

Top Channel