Spanjë, kapet baroni i drogës

09/11/2013 00:00

Lideri mizor i një prej bandave më të dhunshme të drogës të Kolumbisë është arrestuar në Spanjë, ka bërë të ditur policia lokale.

Cipriam Manuel Palencia Gonzales, kreu i bandës së Urabenos, kërkohet për një seri krimesh të rënda, që përfshijnë vrasjen e një oficeri policie në Kolumbi.

Ai u prangos në Madrid ditën e premte, teksa po planifikonte rrugët e reja të narkotrafikut drejt Spanjës, ka njoftuar policia madrilene.

Gonzales, 34 vjeç, u arratis nga burgu në Kolumbi në vitin 2009, ndërsa më herët gjatë vitit mbeti i plagosur gjatë një tentative të policisë për ta kapur.

Gjashtë anëtarë të grupit të tij u arrestuan gjatë këtij operacioni dhe një kapiten policie mbeti i vrarë. Policia kolumbiane dyshon se ai kishte në plan të vriste më shumë agjentë.

Pasi u arratis, Gonzales udhëtoi fillimisht në Venezuelë dhe më pas në Brazil, para se të fluturonte për në Madrid në ditët e fundit, me një identitet të rremë, saktësoi policia iberike.

Ndaj tij ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar nga Interpoli, ku paralajmërohej se ai mund të ishte i armatosur dhe shumë i rrezikshëm.

Banda Urabenos përbëhet pjesërisht nga anëtarë të ish-grupeve paraushtarake që në vitet ’80 u hodhën në aksion për të frenuar guerrilasit e krahut të majtë gjatë luftës civile të Kolumbisë.

Gonzales, i njohur ndryshe me pseudonimin Visaje, akuzohet për trafik droge, zhvatje dhe urdhërim të vrasjeve të oficerëve të policisë. Autoritetet kolumbiane i kanë atribuar bandës së tij të paktën 52 vrasje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB