Siri, sulm madhor i regjimit në Aleppo

09/11/2013 02:40

Trupat sirianë kanë rimarrë pjesë të një baze ushtarake të pushtuar më parë gjatë vitit nga rebelët, në një betejë të ashpër me ta pranë aeroportit ndërkombëtar të Aleppo-s, bëjnë të ditur aktivistët.

Luftime të rënda shpërthyen në orët e para të së premtes, rreth “Bazës 80” në periferi të qytetit kryesor në veri të Sirisë.

Një luftëtar pranë aeroportit e quajti sulmin e ushtrisë si më të ashprin e ndërmarrë në më shumë se 1 vit ndaj zonave të zotëruara prej rebelëve pranë aeroportit.

“Nuk e pamë kur ndodhi. Sulmi ishte një shokim i vërtet për ne”, tha ai për Al-Jazeera. “Po ndodh një fushatë e çmendur aktualisht. Regjimi po përdor një politikë të tokës së djegur”.

Raportimet fillestare sugjeruan se të dy palët kanë pësuar viktima gjatë luftimeve. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me bazë në Londër, shtoi se rajonet përreth bazës janë përfshirë nga bombardime të fuqishme, së bashku me qytetet fqinje të Aleppo-s.

“Trupat e regjimit kanë avancuar brenda bazës dhe tashmë kontrollojnë pjesë të mëdha të tij, ndërsa grupet rebele dhe shtetet islamike po kërkojnë përforcime”, bëri të ditur SOHR.

Forcat rebele morën kontrollin e “Bazës 80” pas luftimeve të përgjakshme gjatë muajit shkurt. Garnizoni i kësaj baze ishte përgjegjës për sigurinë e aeroportit ndërkombëtar të Aleppo-s, si dhe pistën ajrore ushtarake “Nayrab” aty pranë, të cilat mbetën të dyja nën kontrollin e regjimit sirian.

Observatori raportoi gjithashtu se luftime ka pasur edhe përreth një depoje kryesore armësh në qytetin Mahin të provincës qendrore Homs. Grupet rebele morën kontrollin e saj në fillim të kësaj jave, ndërkohë që tashmë opozita po dërgon atje përforcime.

Më shumë se 120 mijë njerëz janë vrarë në konfliktin e Sirisë që prej marsit 2011, sipas SOHR. Miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit dhe jashtë tij.

Top Channel