Komisioni Parlamentar i Punëve të Brendshme dhe i Sigurisë në Kosovë do të kërkojë sqarime nga Policia e Kosovës dhe EULEX mbi atë çfarë ndodhi ditën e votimeve më 3 nëntor në veri të Mitrovicës.

Kreu i këtij Komisioni, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se duheshin marrë të gjitha masat nga ana e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it për një mbarëvajtje normale të procesit zgjedhor në këtë pjesë problematike të vendit.

Isufi kërkoi që më 17 nëntor, kur edhe do të përsëriten zgjedhjet vendore në Veri, të merren të gjitha masat që të mos lejohet hyjra në territorin e Kosovës e personave që përbëjne rrezik për procesin zgjedhor.

“Kërkesa jonë si Komision është që institucionet e sigurisë të jenë të përgatitura më 17 nëntor, në mënyrë që procesi zgjedhor të shkojë normalisht dhe sipas rregullave të parashikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Isufi.

Zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë u anuluan në pjesën veriore të Mitrovicës pas incidenteve dhe parregullsive të mëdha të vërejtura në tre qendra votimi.

Top Channel