SHBA, prokurori dënohet për keqhetim

09/11/2013 00:00

Një ish-prokuror i shtetit amerikan të Teksasit është dënuar me burg për rolin e tij në dënimin e gabuar të një personi të pafajshëm 26 vjet më parë.

Ken Anderson pranoi gabimin dhe bëri një marrëveshje me trupin gjykues, që i dha 10 ditë në burg, 500 orë shërbim në komunitet dhe i hoqi të drejtën e ushtrimit të profesionit.

Ai u akuzua se kishte “luajtur” me provat në gjyqin e vitit 1987 për vrasje ndaj Michael Morton. Morton kaloi 25 vjet në burg dhe u lirua vetëm pasi testi i ADN-së e shfajësoi atë.

Anderson, gjithashtu një ish-gjykatës, bëri një marrëveshje ditën e premte në gjykatën e Teksasit, e njëjta ku dikur ai ka punuar.

Ai u përball me akuza kriminale dhe një padi civile për fshehje të provave dhe për bërjen e deklaratave të rreme në gjykatë gjatë procesit ndaj Morton, në lidhje me vdekjen e bashkëshortes së tij, Christine.

Avokatët e Morton deklarojnë se Anderson fshehu transkriptimin e marrjes në pyetje që policia i kishte bërë vjehrrës së Morton dhe për manipulim të dëshmive të fqinjëve të të pandehurit.

Morton u dënua me burgim të përjetshëm për t’u liruar në vitin 2011, pasi testi i ADN-së e lidhte vrasjen e Christine, që u rrah për vdekje, me një burrë tjetër. Ky i fundit, Mark Alan Norwood, u shpall fajtor më herët gjatë këtij viti.

“Nuk e di nëse ‘kënaqësi’ është fjala e duhur. kur procesi filloi mua më pyetën se çfarë dëshiroja. Si fillim, që Ken Anderson të dëbohej nga gjyqësori dhe të mos ushtronte më profesionin. Të dyja këto ndodhën, por…”, u shpreh Morton ditën e premte.

Mediat amerikane raportojnë se Anderson i kërkoi falje Mortonit për “dështimet e sistemit”, por tha se nuk besonte se kishte keqdrejtuar hetimet.

Top Channel