Jemen, sërish viktima nga dronët

09/11/2013 05:05

5 persona janë vrarë nga dy sulme me avionë të telekomanduar në provincën jugore të Jemenit, Abyan, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme.

Njoftimi i ministrisë, i lëshuar të premten, bënte të ditur se viktimat ishin të dyshuar të al-Qaeda-s dhe se ata ishin vrarë gjatë së enjtes. Në deklaratë nuk specifikohej nëse dronët ishin lëshuar nga Jemeni apo nga Shtetet e Bashkuara.

Gjithsesi, zyrtarë lokalë të Abyan-it, që përbën një nga fortesat e grupit terrorist me bazë në Jemen, al-Qaeda në Gadishullin Arabik (AQAP), dhe grupeve të tjera të armatosura gjatë trazirave që rrëzuan presidentin veteran Ali Abdullah Saleh vitin e kaluar, thanë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se dronët ishin amerikanë.

AQAP shihet nga Shtetet e Bashkuara si një nga krahët më aktivë të rrjetit të grupit terrorist, duke paraqitur një kërcënim serioz ndaj interesave të Perëndimit, përfshi trafikut të çisternave të naftës në Gjirin Persik.

VItin e kaluar, ushtria e Jemenit, me mbështetjen e SHBA-ve, dëbuan luftëtarët e al-Qaeda-s dhe aleatët e tyre nga disa prej fortesave të tyre në jug. Por, që prej atëherë, ata janë rigrupuar dhe kanë ndërmarrë sulme ndaj zyrtarëve qeveritarë.

SHBA-të kanë ndërmarrë rregullisht sulme me dronë kundër AQAP, në një fushatë që është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut, pasi po ekzekutojnë të dyshuarit pa i nxjerrë fillimisht në gjyq ata, ndërsa shpesh herë po vriten edhe civilë veç të dyshuarve për terrorizëm.

Top Channel