Humanizëm përtej politikës

09/11/2013 00:50

Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Sirisë, asnjëherë idilike, janë ashpërsuar akoma më shumë nga sulmet e shtetit hebre brenda kufijve sirianë dhe konfliktit më tepër se dy vjeçar në këtë vend.

Aleanca strategjike me Teheranin e ka larguar edhe më shumë Damaskun prej shtetit hebre, me të cilin është përplasur në tre luftra: atë të 1948-s, atë të vitit 1967 dhe të fundit më 1973-shin.

Por, erërat e armiqësisë në rang zyrtar nuk kanë arritur të prekin anën njerëzore të një ngërçi që zgjatet në vite.

Mediat e huaja raportojnë se me qindra të rinj izraelitë vënë prej kohësh jetët e tyre në rrezik, vetëm që t’u ofrojnë sirianëve ndihmë. Mjekë izraelitë dhe grupe vullnetarësh hyjnë e dalin fshehurazi në kufi, duke vizituar kampet e refugjatëve.

Organizata jofitimprurëse “IL 4 Syrians” ka arritur të sigurojë për sirianët e shpërngulur 670 tonë ushqime, 70 tonë mjete sanitare dhe 20 tonë ilaçe, ndërsa ka dërguar në zonat e konfliktit edhe specialistë për traumat.

Për këtë grup punojnë më shumë se 1,200 izraelitë, të cilët duan të mbeten anonimë për të mbrojtur jetën dhe punën e tyre.

Vullnetarët, qe kanë kryer edhe shërbimin ushtarak në Izrael, kanë profesione të ndryshme. Ata trajnojnë infermierët sirianë dhe punëtorët në kampet e refugjatëve.

Një nga themelueset, që përdor emrin e rremë Gila, thotë se grupi nuk është formuar për të ndihmuar qeverinë izraelite, por asistencën humanitare e argumenton me respektin që duhet treguar ndaj jetës njerëzore.

Shumë pacientë në afërsi të Lartësive Golan kanë kaluar kufirin dhe janë trajtuar nga mjekët izraelitë. Spitalet nuk tregojnë se si të lënduarit kanë mbërritur deri atje, por duket se kjo i detyrohet mjekëve të “IL4 Syrians”, të cilët kanë kryer edhe operacione shpëtimi në zonat e konfliktit.

Vullnetarët e kanë të qartë se, duke kaluar kufirin sirian, vënë në rrezik jetët e tyre, por thonë se nuk kanë përse marrin leje për të shpëtuar jetët e të tjerëve.

Top Channel