Gazetarja që ndihmoi Snowden

09/11/2013 00:00

Avokatët e Këshilluan të mos kthehej në shtëpi dhe Sarah Harrison ua dëgjoi fjalën. Gazetarja britanike, njëkohësisht aktiviste e Wikileaks ka bashkëpunuar me Edward Snowden që prej mëerritjes së tij në Rusi.

Harrison e ka ndihmuar ish-kontraktorin e NSA-së t’i shpëtojë dorës së gjatë të Departamentit amerikan të Drejtësisë, por tani në shënjestër ka përfunduar edhe ajo vetë.

Për këtë arsye, reporterja po strehohet në Berlin. Në fakt, këto janë ditë të pasigurta për dekonspiruesit e informacioneve të shërbimeve sekrete. Julian Assange ka mëse një vit në ambasadën ekuadoriane në Londër.

Ai nuk guxon të dalë nga ndërtesa sepse rrezikon t’i vihen menjëherë prangat dhe të ekstradohet në Suedi, ku kërkohet për agresion seksual.

Edward Snowden ruhet përgjatë gjithë kohës në Moskë, pas marrjes së azilit të përkohshëm nga autoritetet ruse. Ai mund të konsiderohet me fat, sepse arriti ta shmangë fatin e rreshterit Bradley Manning, që u dënua në qershor me 35 vjet burg, për dekonspirimin e 250.000 kabllogrameve diplomatike amerikane.

Sarah Harrison me sa duket ka qenë pikërisht njeriu që e ndihmoi Snowden t’i shpëtonte Departamentit amerikan të Drejtësisë. Por pikërisht për faktin që i dha një dorë njërit prej armiqve më të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara, ajo po qëndron në Berlin, e frikësuar se po të kthehet në vendlindjen e saj, Angli, mund të arrestohet nën akuzën e një vepre terroriste.

Tre ditë më parë, ajo botoi një letër ku bënte thirrje që informatorët dhe dekonspiruesit të mbrohen nga ndjekja penale, me arsyetimin se: “të tregosh të vërtetën nuk është krim”.

“Wikileaks vazhdon të luftojë për mbrojtjen e burimeve”, shkruan Harrison. “Ne e kemi fituar betejën për të ardhmen e afërt të Snowden, por lufta më e gjerë vazhdon”.

Top Channel