Bisedimet me Iranin, në fazë “kritike”

09/11/2013 03:20

Zyrtarët iranianë thanë se bisedimet me fuqitë botërore mbi programin bërthamor të vendit të tyre në Gjenevë kanë arritur një fazë “kritike”, teksa Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe homologët europianë të tij morën pjesë në negociatat me kryediplomatët e Iranit, gjatë orëve të vona të natës.

Bisedimet mes delegacionit iranian, të kryesuar nga ministri i Jashtëm, Javed Zarif, Sekretarit John Kerry dhe shefes për Politikat e Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, përfunduan mbrëmjen e së premtes pa një marrëveshje të nënshkruar, por të gjitha palët kanë lavdëruar progresin që është bërë gjatë gjithë negociatave të së premtes.

“Kemi arritur një pikë të rëndësishme tepër kritike”, tha zëvendës/ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, në komentet e transmetuara nga kanali iranian “Press TV”, përpara takimit. “Negociatat kanë arritur kulmin, një situatë tepër e ndjeshme, dhe tashmë ka nevojë për vendimmarrje të niveleve të larta”, tha ai, duke iu referuar ardhjes së ministrave të Jashtëm.

Bisedimet pritet të vazhdojnë edhe gjatë së shtunës, në ditën e tretë të tyre në Gjenevë.

Përpara se të takonte Zarif mbrëmjen e së premtes, Sekretari amerikan Kerry tha se ende mbeteshin diferencat domethënëse mes Iranit dhe 6 fuqive botërore për të adresuar marrëveshjen bërthamore, teksa ai dhe 3 ministra të Jashtëm europianë ushtruan presionin e tyre në përpjekje për t’i sheshuar ato.

“Dua të theksoj se nuk ka asnjë marrëveshje në këtë pikë”, tha Kerry, menjëherë pasi mbërriti në Gjenevë, duke shtuar premisat për pritshmëritë e një marrëveshjeje të tillë. “Ne shpresojmë t’i shuajmë diferencat mes nesh, por nuk besoj se dikush duhet të gabojë duke nxituar, pasi ka disa hapësira të rëndësishme që duhen mbyllur”, tha ai për reporterët.

Kerry u takua me homologët e tij përpara takimeve të përbashkëta me Zarif dhe Catherine Ashton, kryediplomaten europiane që ka organizuar bisedimet. Ministri i Jashtëm francez tha se çështjet kryesore mbeten ende pa përgjigje gjatë bisedimeve. “Franca kërkon një akord të besueshëm mbi programin bërthamor të Iranit”, tha Laurent Fabius në një deklaratë për “Reuters”.

Zyrtarët shprehën optimizmin për progresin e arritur në bisedimet përgjatë së enjtes, por komentet e Kerry-t dhe homologëve të tij nga Britania, Franca dhe Gjermania, pasi mbërritën në Gjenevë, theksuan qartësisht se disa nyje kyçe mbeten për t’u zgjidhur para arritjes së marrëveshjes, që do të ofronte reduktime të sanksioneve ndaj Iranit në këmbim të lëshimeve bërthamore të këtij shteti.

Kerry mbërriti në Gjenevë nga Tel Avivi, pas bisedimeve me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ku u përpoq të shuante shqetësimet e Izraelit mbi bisedimet e Gjenevës. Izraeli është kritikues i ashpër i ndonjë marrëveshjeje që do të lehtësonte sadopak sanksionet ndaj Iranit, për sa kohë që ky shtet nuk do të hiqte dorë nga teknologjia e gatshme për të prodhuar armët bërthamore.

Shtëpia e Bardhë, gjatë së premtes, refuzoi kritikat e ashpra të Izraelit mbi një marrëveshje të propozuar të përkohshme si “të nxituar”, teksa asnjë marrëveshje nuk është arritur aktualisht. “Nuk ka asnjë marrëveshje. Çdo kritikë ndaj akordit të mundshëm është i nxituar”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, i ndodhur në bordin e “Air Force One”.

Më pas, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Barack Obama kishte folur me kryeministrin izraelit Netanyahu, të premten, për ta përditësuar atë me bisedimet, për të theksuar “angazhimin e fortë të tij kundër lejimit të Iranit për të siguruar armën bërthamore”.

Kryeministri izraelit paralajmëroi më herët Sekretarin amerikan Kerry se po i ofronte Iranit “marrëveshjen e shekullit”.

Top Channel