S&P zhvlerëson Francën

08/11/2013 00:00

Franca ka pritur me keqardhje vendimin e “Standard and Poor’s” për të ulur nivelin e besueshmërisë së vendit për kreditim.

Sipas agjensisë, papunësia mbetet problem madhor sepse ka të ngjarë të mbetet e lartë deri në vitin 2016, duke e bërë çdo reformë politikisht të vështira. Ministri francez i Financave, Pierre Moskovici, kujtoi megjithatë se krediti i vendit të tij mbetet ndër më të lartët në Bashkimin Europian dhe në botë.

“Mendoj se është një tregues, një këndvështrim i agjensisë së vlerësimit të riskut. Më vjen keq për disa gjykime të caktuara që mendoj se janë kritika të pasakta dhe të padrejta. Megjithatë dua të theksoj se stabiliteti i Francës, forca e saj është e njohur. Ky është një vend të cilit mund t’i besohet”, deklaroi Pierre Moskovici, Ministër i Financave.

Agjensia e vlerësimit e uli nivelin e kreditimit për Francën, nga AA + në AA mes shqetësimeve se vendi do ta ketë të vështirë të stabilizojë financat publike dhe të ndërmarrë reformat e nevojshme për ta bërë ekonominë e vet më konkurruese.

Ajo tha gjithashtu se veç kësaj, Franca ka shumë pak hapësirë për të rritur taksat në mënyrë që të mbyllë mungesat në buxhet. Pas “Standard and Poor`s”, rating-un per vendin e konsideruar deri me tani në pozita pak a shumë të shëndosha, e ulen edhe dy agjensitë e tjera të mëdha, “Moody`s” dhe “Fitch”.

Qeveria socialiste e François Hollande erdhi në fuqi në maj 2012 me premtimet për të frenuar rënien ekonomike të Francës. Që nga ajo kohë, papunësia është rritur dhe niveli i miratimit të publikut për Hollande ka rënë në pikën më të ulët krahasuar me gjithë udhëheqësit francezë të kohëve moderne.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB