
Anti-semitizmi në vendet e Europës është rritur pesë vitet e fundit. Të paktën kështu mendojnë hebrenjtë të shpërndarë në tetë vendet e “Kontinentit të Vjetër”.
Agjencia e të Drejtave Themelore e Bashkimit Europian ndërmori një sondazh ku u pyetën 5847 hebrenj nga Belgjika, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Letonia, Suedia dhe Britania e Madhe. 66 përqind e të anketuarve mendojnë se anti-semitizmi është rritur në Europë përgjatë pesë viteve të fundit.
Shqetësimet më të mëdha të tyre ishin komentet anti-semitike në internet. Sipas tyre, gjuha e urrejtjes ndaj hebrenjve në forume të ndryshme online është rritur ndjeshëm dhe kërcënuese. Madje një 50-vjeçare britanike me origjinë hebraike thotë se ka marrë më shumë ofendime për origjinën e saj që prej kohës së hapjes së një profili në Facebook se sa në gjithë vitet e jetës së saj.
Në përfundim të raportit mbi sondazhin, Agjencia e të Drejtave Themelore e Bashkimit Europian rëndit disa shkaqe mbi rritjen e ndjenjës anti-semite dhe sipas saj kryesorja është kriza financiare që ka përfshirë vendet e Europës.
Top Channel