Vijojnë sulmet në Iran, forcat izraelite rrëzojnë aeroplanin e parë iranian mbi Teheran Tajfuni Haiyan, një ndër më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë në histori, u përplas mbi rajonet qëndrore të Filipineve duke shkaktuar rrëshqitje dheu, shkatërrime ndërtesash dhe vdekjen e të paktën tre personave.
Erërat e asaj që mediat e quajnë “stuhia përbindësh” mbërritën shpejtësinë 320 km në orë. Qindra-mijëra vetë janë detyruar të shpërngulen në të paktën 20 provinca të vendit, pjesë të tëra të të cilit ishin sot pa energji elektrike e mundësi komunikimi. Rajoni ende nuk e kishte marrë veten nga tërmeti 7,1 ballësh i muajit të kaluar që shkaktoi mbi 220 të vdekur. Deri tani, superstuhia, që në Filipine njihet si Yolanda, ka goditur më ashpër ishujt Leyte dhe Samar, si dhe qytetin e Cebut me një popullsi prej 2.5 milionë banorësh.
Përvec tre të vdekurve, zyrtarët flasin edhe për shtatë të plagosur, ndërsa shtojnë se me shumë gjasa numri i viktimave do të rritet. Fuqia e tajfunit Haiyan është e barabartë me atë të një uragani të kategorisë së pestë, ndërsa CNN thoshte një ditë më parë se stuhia është aq e madhe në diametër sa retë e saj mbulojnë gati dy të tretat e të gjithë vendit.
Shkollat dhe zyrat janë mbyllur, linjat ajrore kanë pezulluar fluturimet ndërsa ekipet e ndërhyrjes së shpejtë mbeten në gjendje gadishmërie, ndërsa për operacionet e shpëtimit janë angazhuar edhe forca ushtarake.
Edhe pse ekspertët sqarojnë se duke e pritur mbërritjen e tajfunit, autoritetet vendore ishin përgatitur më mirë se cdo herë tjetër për afrimin e një stuhie në vend, erërat e tajfunit janë aq të fuqishme sa nuk dihet nëse ndërtesat e përdorura si venstrehime do të arrijnë t’i rezistojnë.
Hayiani është stuhia e 25-të tropikale që prek territorin e Filipineve brenda këtij viti. Metereologët paralajmërojnë se ai mund të jetë po aq shkatërrimtar sa tajfuni Bopha që rrënoi pjesën jugore të vendit në 2012-ën, e mori të paktën 1.000 jetë njerëzish.
Top Channel