Pasdite, të gjithë kundër armëve kimike

08/11/2013 00:00

Lajmi qarkulloi fillmisht në mediat ndërkombëtare; Shqipëria mund të jetë njëri prej vendeve destinacion i armëve kimike siriane për t’u shkatërruar.

Zërat mediatikë u konfirmuan nga Ministri i Jashtëm shqipar, Ditmir Bushati që në një intervistë për “Le Monde” në Francë pranoi se qeveria shqiptare ishte kontaktuar nga Shtetet e Bashkuara, por shtonte se ende nuk ishte marrë një vendim nga Tirana.

Për të folur në lidhje me këtë cështje në panelin e Pasdites në Top Channel ishte i ftuar gazetari Gjergj Erebara. Ai vlerësoi angazhimin qytetar kundër kësaj nisme, ndërsa tha se shqetësimi i njerëzve mbi këtë fakt është i dukshëm që në organizimin e protestave që janë ndërmarrë nga disa grupe aktivistësh dhe jo vetëm nga një.

“Të gjithë shqiptarët janë shprehur kundër kësaj në mënyra nga më të ndryshmet, nga statuset në Facebook e deri në pjesëmarrjen në protesta. Besoj që lëvizja e qytetarëve këtë herë do të dëgjohet.

Kësaj cështje i kushtoi një shkrim edhe Der Spiegel e cila thotë se “qeveria shqiptare është në telashe të mëdha, të zgjedhë të zemërojë aleatin e madh perëndimor apo një pjesë të popullsisë?”. Gazetari Gjergj Erebara thotë se qeveria shqiptare duhet të tregohet e matur në këtë pikë dhe të marrë një vendim që nuk zhgënjen qytetarët kaq shpejt.

***

Kanceri i mitrës u merr jetën dhjetra femrave cdo vit. Ndërgjegjësimi për kryerjen e analizave për kapjen në kohë të kësaj sëmundjeje, që rrit shanset për t’i mbijetuar është i vakët. Nga paneli i Pasdites, gazetarja Eglantina Bardhi tha se duhet bërë më shumë në ndërgjegjësimin e femrave për kryerjen e analizave në mënyrë të shmangin avancimin e sëmundjes.

***

Të martën në Shkup mbërriti për një vizitë dy-ditore Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të mërkurën ai u takua me drejtuesit kryesorë të Maqedonisë, ndërsa nuk nguroi të lëshojë disa mesazhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtave të shqiptarëve.

Në linjë telefonike nga Maqedonia, analisti shqiptar Kim Mehmeti vlerësoi vizitën e Ramës, jo vetëm për faktin se për herë të parë uli në të njëjtën tryezë pas shumë vitesh kreun e PDSH, Menduh Thaçi dhe atë të BDI-së, Ali Ahmeti, por më së shumti për mesazhin e drejtpërdrejtë të përcjellë ndaj kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevksi.

“Rama i përcolli në mënyrë të drejtpërdrejtë mesazhet Gruevskit për arsimimin e shqiptarëve dhe për tensionet ndëretnike. Ajo që ishte e vecantë në këtë porosi, që ishte e para e një burrështetasi shqiptar, ishte fakti se ajo është një  porosi e drejtpërdrejtë e Shqipërisë dhe jo porosi e liderëve politikë shqiptarë të Tetovës”, tha zoti Mehmeti.

Lidhur me reagimin e mediave maqedonase mbi këtë deklaratë, Mehmeti tha se këto media nuk janë mësuar me deklarata të tilla nga Shqipëria, megjithatë shtoi se deklaratat janë pritur përgjithësisht mirë.

Top Channel