Pasdite me Dhimiter Orgockan

08/11/2013 00:00

Ai ka një galeri shumë të gjërë personazhesh. Ishte teatri që e bëri të njohur për qytetin dhe ishte kinematografia që e bëri të njohur për gjithë botën shqiptare. Në panelin e Pasdites në Top Channel, personazhi i kësaj të premteje ishte Dhimitër Orgocka.

“Kam bërë serenata në dritare. Që i ri kam recituar vargje dhe në grupin e miqve dilja dhe me Gaqo Çakon dhe në rrugicat e shtëpisë së Gaqos, ne recitonim Gaqo këndonte. Kemi patur disa marrëdhënie të mira shoqërore. Tani nuk janë edhe aq të mira”, nis rrëfimin për Pasdite regjisori Dhimitër Orgocka.

Ai foli më tej për situatën në të cilën ndodhet teatri në Korçë, por dhe në gjithë Shqipërinë duke u shprehur se luhatjet që ka aktualisht janë pasqyrim i jetës së qytetit, me luhatje.

“Ka njëfarë coroditje, pasaktësie por megjithatë kënga dhe serenata korcare për kënaqësinë time është që miqtë e mi kanë ngritur një grup të rinj vajzash dhe djemsh që cdo të shtunë dhe të dielë këndojnë këngë të serenatës korcare në pedonalen e re. kështu që e shtuna dhe e diela është e mbushur me vajza dhe djem që këndojnë dhe kërcejnë”, thotë ai.

“Kam kërcyer valle, balet dhe në grupin tonë ishte dhe një vajzë që unë e pëlqeja dhe ne të dy kërcenimin si kërcimtarë dhe si dy të dashuruar. Më pas kjo lidhja jonë nuk u ndërpre dhe Dhorka (Violeta Manushi) që më pas u bë gruaja ime, luante teatër në shtëpinë e kulturës, një regjisor i mrekullueshëm, Sokrat Mihoja, ai e pa dhe tha që kjo vajzë do të bëhet një aktore shumë e mirë. Dhorka nuk donte, por unë i thashë hajde se jam unë dhe për hatrin tim erdhi edhe ajo në teatër. Ishim të dashuruar, kishim të përbashkët që ishim tepër punëtorë, kokëulur dhe të thjeshtë, por nganjëherë kur dashuria është më e përmbajtur është më e thellë dhe në punën tonë të përditëshme ajo u bë aktore më e mirë se sa unë, nderoi veten dhe teatrin dhe sot kur e kujtoj kam shumë mall për arsye se po ta kisha atë do ta kisha jetën më të lehtë, kurse tani e kam problem dhe zgjidhjen e kam gjetur duke punuar shumë. Por në këto situatë për një burrë në moshën time, pa grua jeta është e vështirë”, rrëfen regjisori dhe aktori Dhimitër Orgocka.

Dhimitri, ose Taqka sic e thërrisnin miqtë e ngushtë rrëfen edhe ditët e vështira pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes së tij, Dhorkës në vitin 2002: “Dhorka mbante mbi supet e veta edhe problemet e shtëpisë, duke më lejuar mua që të merresha më shumë me punë. Kur kthehesha në Korçë nga punët jashtë, gjëja e parë që mendoja ishte se kush do më presë? Kam djalin dhe vajzën, por vendin e Dhorkës nuk e ka zënë askush. Në këto situata e kam përgatitur veten dhe zgjidhjen më të mirë e kam gjetur duke punuar dhe nuk gjej dot kohë të mërzitem dhe të të them të drejtën nuk më vjen mirë që të largohem tani nga jeta. Dua të punoj akoma dhe shpresoj që mund të realizoj shfaqje të tjera.

Vitet e kaluara me Dhorkën: “Cdo burrë do të donte që të kishte një mirëkuptim të tillë të plotë dhe pa shumë ceremonira me një mall të madh dhe një dashuri të brendshme sepse do t’i lehtësonte shumë problemet që ka jeta. Unë me Dhorkën kam kaluar shumë mirë dhe tani kur i kujtoj më duket sikur ato vite kanë fluturuar, kanë ecur shumë shpejt. Kemi qenë të përkushtuar dhe të përgjegjshëm ndaj njëri-tjetrit”.

Top Channel