Pablo Neruda nuk është helmuar. Një grup prej 15 ekspertësh kilianë dhe të huaj përfunduan punën 6-mujore në përfundim të së cilës thanë se nuk kanë gjetur asnjë gjurmë helmimi në trupin e tij.
Rezultati i publikuar në përfundim të dhjetra testeve të ndërmarra nga grupi i ekspertëve i jep fund dilemës 40 vjeçare për vdekjen e poetit kilian, i njohur për bindjet e tij politike të majta.
Pablo Neruda vdiq në vititn 1973 pak ditë pasi në pushteti kishte ardhur nëpërmjet një grushti shtetit Gjenerali Augusto Pinochet.
Trupi i tij u zhvarros në muajin prill për t’iu nënshtruar analizave të specializuara për të përcaktuar nëse vdekja e tij kishte qenë natyrale apo ishte helmuar nga njerëzit e Pinochet, kundërshtarët e presidentit të rrëzuar Salvador Allende.
Neruda vdiq në moshën 69-vjeçare dhe njihej si një ndër miqtë më të ngushtë të presidentit Allende.
Kërkesa për zhvarrosjen e tij dhe kryerjes së analizave për të përcaktuar shkaqet e vdekjes u bë nga Partia Komuniste e juristit Eduardo Contreras, që mendon se Neruda u helmua.
Por rezultati i punës 6-mujore të ekspertëve sërish nuk ka bindur komunistët. Ata thonë se kërkimi është fokusuar vetëm tek agjentët kimikë dhe jo tek ata biologjikë dhe paralajmëruan ngritjen e një tjetër kërkese për vazhdimin e hetimeve.
Dilema se Neruda u helmua është mbajtur e gjallë që prej vdekjes së tij në vitin 1973. Pak kohë pasi poeti ndërroi jetë, shoferi i tij personal, Manuel Araya deklaroi publikisht se Neruda ishte helmuar.
Top Channel