Dy kryetarë të sapozgjedhur komunash nga rajoni i Drenicës akuzohen për krime lufte. Bëhet fjalë për kryetarin e Drenasit, Nexhat Demaku dhe atë të Skënderajt, Sami Lushtaku.

Që të dy bëjnë pjesë në grupin prej 15 ish-ushtarësh të UÇK-së, i njohur si grupi i Drenicës, ndaj të cilëve është ngritur aktuakuza këtë të premte.

Përveç Demakut, në këtë grup janë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Latif Gashi dhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi.

Misioni evropian EULEX njoftoi se një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës kundër 15 të pandehurve.

Sipas EULEX-it, të pandehurit akuzohen për vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve dhe vrasje, të cilat supozohet të jenë kryer në një qendër paraburgimi të UÇK-së në Likovc, në vitin 1998.

Avokatët mbrojtës deklaruan se do ta kundërshtojnë dhe se gjykata do të bindet nga argumentet e mbrojtjes. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së.

Ato akuzojnë EULEX-in për njollosjen e luftës çlirimtare të kombit shqiptar me në krye Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për të nxjerrë sipas tyre, përfituese Serbinë dhe bashkëpunëtorët e saj të shumtë në Kosovë.

“Ngrijta e aktakuzës kundër bashkëluftëtarëve tanë të zonës operative të Drenicës argumenton tentativën e vazhdueshme të EulEX-it për të goditur bartësit e luftës çlirimtare”, thuhet në reagim.

Nexhat Demaku ka fituar në Drenas me shumicë vtoash e po kështu edhe Sami Lushtaku, ndonëse ndodhet në paraburgim nën masën e caktuar nga gjykata në kuadër të këtij procesi gjyqësor.

Ligji zgjedhor në Kosovë nuk e ndalon kandidimin e personave të cilët janë nën hetime, duke mundësuar rikandidimin e Demakut dhe Lushtakut për kryetarë komunash, përkundër proceseve gjyqësore ndaj tyre.

Për këtë çështje më shumë është kompetente Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Zyrtarë pranë kësaj ministrie thanë për Top Channel se ministri ka të drejtë ligjërisht të rekomadnojë shkarkimin e ndonjë kryetari i cili shkel ligjin, por kjo mund të bëhet vetëm pasi gjykata të vendosë për këtë.

Top Channel