Kerry në Gjenevë, Obama: Marrëveshja e mundshme

08/11/2013 03:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të udhëtojë drejt Gjenevës për të ndihmuar negociatat mbi programin bërthamor të Iranit, bëjnë të ditur burime zyrtare.

Kerry do të mbërrijë në Gjenevë të premten, pas ftesës së Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, “në përpjekje për të ndihmuar në sheshimin e diferencave në negociimet” me Iranin, thanë dy zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për CNN.

Lajmi për planin e udhëtimit të Kerry-t vjen pak orë pasi një zyrtar i lartë iranian, i cili ndodhet për negociime në Gjenevë së bashku me 6 fuqitë e mëdha të botës, tha të enjten se një marrëveshje mbi programin bërthamor të vendit të tij është shumë pranë arritjes.

“Besoj se është e mundshme arritja e një mirëkuptimi apo një marrëveshjeje, përpara se të mbyllim këto negociata mbrëmjen e së premtes”, tha ministri i Jashtëm iranian dhe kryenegociatori për bërthamoret, Javad Zarif, për gazetaren e CNN, Christiane Amanpour.

Komentet e Zarif vijnë pas një dite të gjatë takimesh me ekipe diplomatike e teknike nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Rusia, Kina dhe Gjermania (e papajisur me armë bërthamore), vende që njihen edhe si P5+1 apo EU3+3.

Edhe pse ai nuk dha detaje se çfarë mund të përfshinte një marrëveshje e tillë, ai tha për agjencinë shtetërore të lajmeve në Iran, se “ne presim të bëjmë përparime”.

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha gjithashtu të enjten se është e mundshme një marrëveshje. “Ekziston një mundësi për një marrëveshje të ndarë me faza me Iranin mbi çështjet bërthamore”, tha Obama për NBC. Hapi fillestar, nëse bien dakord, do të kërkonte nga Irani ndaljen e avancimit të programit bërthamor në këmbim të “një lehtësimi modest” nga sanksionet ekonomike, tha ai. Por, SHBA-të do të mbajnë ende në fuqi “sanksionet bazë”, shtoi Obama.

“Kështu që, nëse kjo rezulton brenda 6 muajve në vijim, gjatë të cilave ne do të përpiqemi të zgjidhim disa nga çështjet më madhore të mbështetura prej tyre në një marrëveshje të mundshme, duke treguar se ata nuk po vazhdojnë më tej dhe duke na dhënë siguri se nuk do të zhvillojnë armët bërthamore, – tha Obama në NBC, – atëherë ne mund ta rezervojmë këtë fiksim.

Pasurimi i uraniumit është çështja kryesore në diskutim në negociatat e kësaj jave me Iranin, në lidhje me të ardhmen e programit kontrovers bërthamor të tij.

“Jemi në një fazë tepër sensitive të negociatave dhe e mira është që këto të bëhen mbi një tryezë të përbashkët, në vend që të bëhen nga transmetimet televizive”, tha Zarif. “Por, mund t’iu them se jemi të përgatitur për të adresuar disa nga shqetësimet më imediate që janë ngritur, teksa presim që në mënyrë reciproke edhe shqetësimet tona të zgjidhen nga P5+1”.

Kuadri i punës tashmë është arritur, tha ai. “Shpresoj që mëngjesin e së premtes të nisim një punë serioze për përgatitjen e një deklarate të përbashkët”.

Ajo do të adresonte fundin e një loje “të cilën të gjithë ne po përpiqemi ta arrijmë në një periudhë të kufizuar kohe, me shpresë për më pak se 1 vit” dhe një serie veprimesh që të dy palët do të ndërmarrin reciprokisht “në mënyrë që të ndërtojnë besimin dhe adresojnë shqetësimet më imediate të mundshme”, tha ai.

Shumica e këtyre shqetësimeve kanë në qendër ambiciet bërthamore të Iranit, që sipas disa vendeve ata synojnë krijimin e armëve bërthamore, por që Teherani e ka refuzuar kategorikisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA