Irani, Kerry: Ende s’ka marrëveshje

08/11/2013 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka theksuar se ende nuk është arritur një marrëveshje për programin bërthamor të Iranit, në momentin kur mbërriti për bisedimet e Gjenevës.

Ai iu bashkua ministrave të Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë për bisedimet e paplanifikuara me përfaqësuesit e shtetit iranian.

Detaje nuk janë publikuar ende, por Irani pritet të frenojë aktivitetin e pasurimit të uraniumit për të përfituar një lehtësim të sanksioneve të Perëndimit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e refuzoi marrëveshjen e mundshme dhe deklaroi se vendi i tij nuk do të jetë i detyruar ta zbatojë atë.

Ndërkohë, korrespondenti i BBC në Gjenevë, James Reynolds vlerëson se për vite të tëra bisedimet për programin iranian kanë ecur me ritme të ngadalta, por shton se pas ardhjes së presidentit të ri iranian, Hassan Rouhani, bisedimet mund të ecin më shpejtë.

Gjithësesi, edhe pse palët këtë herë duken pranë një akordimi se më parë, rezultati i bisedimeve është ende i pasigurtë.

Zoti Kerry ndërpreu itinerarin e tij të turit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut për të fluturuar drejt Gjenevës, pasi u takua me kryeministrin Netanyahu në Jeruzalem.

Ai pritet të zhvillojë një seri takimesh, përfshirë një trepalësh me kryediplomaten e BE, Catherine Ashton dhe ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

“Jam i kënaqur që jam këtu me ftesë të baroneshës Ashton, në përpjekje për të bashkuar qëndrimet me homologët. Ka ende disa gjëra që nuk janë zgjidhur. Dua të theksoj se në këtë pikë nuk ka marrëveshje”, ka thënë Kerry.

“Ne shpresojmë të ngushtojmë diferencat mes nesh, por askush nuk duhet të bëjë gabimin që të mendojë se disa boshllëqe janë plotësuar”, ka shtuar shefi i diplomacisë amerikane.

Top Channel