Irak, dy shpërthime, 30 të vdekur

08/11/2013 00:20

Një seri sulmesh në Irak, përfshi një shpërthim të dyfishtë automjetesh që kishin për objektiv një bazë ushtarake, vranë gjithsej 30 vetë përreth vendit, thanë zyrtarët.

Sulmi më vdekjeprurës ndodhi kur dy kamikazë drejtuan mjetet e tyre të pajisura me eksploziv drejt një baze ushtarake në qytetin Tarmiyah, në orët e vonshme të së enjtes, duke vrarë të paktën 19 ushtarë dhe duke plagosur 41 të tjerë, bëjnë të ditur autoritetet.

Ushtarët, që ruanin bazën, hapën zjarr ndaj mjetit të parë, teksa kamikazi po afrohej gjithnjë e më shumë, por ai sërish pati mundësinë të shpërthente eksplozivin në momentin kur iu afrua gardhit që mbronte bazën, tha policia.

Dy minuta më vonë, mjeti i dytë shpërthyes u përplas përmes portës hyrëse dhe shpërtheu sapo arriti pranë një turme me ushtarë, të cilët ishin mbledhur pas shpërthimit të parë, njofton policia.

Tarmiyah, një vend me shumicë sunite dhe ish-bazë e rebelëve, ndodhet rreth 50 km në veri të Bagdadit.

Asnjë grup nuk ka marrë momentalisht përgjegjësinë për dy shpërthimet e njëpasnjëshme të së enjtes. Sulmet me bomba ndaj forcave të sigurisë janë një taktikë e preferuar nga degët lokale të al-Qaeda-s. Grupi në fjalë ka përshkallëzuar fushatën e tij të dhunës.

Top Channel